Botë
Covid-19, ulen shifrat, rriten vaksinimet në BE
26.05.2021 14:29
Shifrat e infektimeve bien, ato të vaksinimeve rriten në të gjithë botën....

Shifrat e infektimeve bien, ato të vaksinimeve rriten në të gjithë botën. Megjithatë në BE pandemia nuk ka marrë fund, por shenjat janë pozitive. Ky është mesazhi edhe nga samiti i BE. 100 milionë doza do jepen për vendet më të varfra. Shumica e shteteve të BE kanë filluar kthimin në jetën normale.
“Shpejtësia e vaksinimit është shtuar në të gjithë Europën, dhe kjo duhet të mbetet kështu. Së bashku me një gjendje më të mirë epidemiologjike, kjo na lejon që të hapim sërish shoqëritë tona. Megjithatë duhet të mbetemi të kujdesshëm”,- thuhet në një deklaratë të përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së.
OBSh: Pavarësisht rënies, shifrat në botë ende të larta
Në raportin e fundit të OBSh-së vërehet një rënie prej 14% të infektimeve javën e fundit. Edhe numri i vdekjeve ka rënie prej 2% nga një javë më parë. Rënia më e madhe e shifrave u regjistrua në Europë. Megjithatë, OBSh paralajmëron se rastet globale mbeten përgjithësisht të larta.
“Pavarësisht nga një rënie gjatë katër javëve të fundit, incidenca e rasteve të Covid-19 dhe vdekjeve mbeten të larta, dhe janë konstatuar rritje të konsiderueshme të rasteve në shumë vende në të gjithë botën”,- thekson OBSh.
Në mbarë globin janë dhënë gjithsej 1.74 miliardë doza vaksinash, mbi 400 milion njerëz kanë marrë edhe dozën e dytë.
BELINDA KOKA ADEMI
