Turistët serbë që transitojnë drejt Greqisë, do të ndahen 200,000 karta smart me nga 760 den
Qeveria do të lëshojë 200,000 karta M-Smart për turistët serbë....

Qeveria do të lëshojë 200,000 karta M-Smart për turistët serbë, me nga 760 denarë secila për një pagesë me dy kalime, aq sa kushton transiti drejt Greqisë përmes Maqedonisë së Veriut.
Duke pasur parasysh faktin se vitin e kaluar për shkak të pandemisë së KOVID-19 kufijtë ishin mbyllur pothuajse plotësisht, qeveria thotë se llogaritjet për numrin e kartave inteligjente janë bërë përmes analizave të automjeteve të kaluara në 2019, kur u shënua edhe rekord.
“Kartat inteligjente do të jenë në dispozicion për të gjithë qytetarët serbë të cilët do të kalojnë në Korridorin 10 gjatë sezonit të verës në periudhën nga 15qershor -15 gusht . Për këtë qëllim, Ministria e Financave do të duhet të transferojë 2.5 milion euro. Pasi projekti të përfundojë, nëse mbeten ende fonde të papërdorura, ato do të kthehen në buxhetin e shtetit. Ministria e Brendshme është përgjegjëse për shpërndarjen e kartave elektronike për automjetet me turistë serbë që do të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes vendkalimit kufitar Tabanovcë.”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Dushko Arsovski.
Nga pagesa e taksave do të përjashtohen vetëm turistët serbë që udhëtojnë nga pikat kufitare Tabanovcë deri në Bogorodicë, por jo edhe për ata për ata që do të shkojnë me pushime në Ohër përmes Shkupit dhe Tetovës. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
