Digjitalizimi i librave shkollorë, MASh: Do të përmirësohen gabimet në libra

26.05.2021 18:05

Është absurd që të bllokohet digjitalizimi i librave...

Është absurd që të bllokohet digjitalizimi i librave shkollorë përmes referendumit, ai është proces që kontribuon në modernizimin e arsimit.

Kështu vlerëson zëvendësministri i arsimit, Arafat Shabani, sipas të cilit kjo reformë është në hap me trendet evropiane dhe botërore dhe vetë digjitalizimi kontribuon në përmirësimin e gabimeve teknike, përmbajtjesore dhe ofenduese te librat shkollorë.

“Me ligjin e ri detyrë do ta kenë institucionet arsimore t’i revidojnë dhe rishqyrtojnë librat në nivel vjetor, d.m.th. zhvillohet shkenca, informacione të reja dhe do të bëhet procedura e revidimit që libri të jetë në përdorim vitin e ardhshëm shkollor.”,- tha zëvendësministri i arsimit, Arafat Shabani.

Implementimi i digjitalizimit, ekspertët: Trajnimet janë të domosdoshme

Por, për realizimin e suksesshëm të reformës nevojitet edhe ndryshimi i tërësishëm i planprogramit të fakultetit pedagogjik dhe më imediate, trajnime të arsimtarëve, të cilët duhet të implementojnë reformën.

“Ne duhet të bëjmë përsëri ndryshime në planet dhe në programet tona me qëllim që të jemi në hap me reformën. Kjo është diskutuar dhe ne e kemi marrë parasysh sepse do ta kërkojë koha shpejt edhe ligji parasheh që brenda pesë vitesh të ndryshojë programi.”,- tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Fatbi Osmani.

“Duhet patjetër të ketë trajnime të mësimdhënësve se jo gjithë arsimtarët dinë të punojnë në kompjuterë dhe janë në një moshë ku i përvetësojnë shpejt programet kompjuterike, besoj që faza e parë duhet të jetë trajnimi i mësimdhënësve.”,- u shpreh arsimtarja, Fitore Qirezi.

MASh thotë se do të organizojë edhe debate publike, që të merren parasysh vërejtjet e opinionit lidhur me reformën e paralajmëruar. (Flutura Latifi, TVM2)