Protesta kundër digjitalizimit, prindërit: Fëmijët tanë nuk janë eksperiment

26.05.2021 19:59

Lëvizja qytetare për libra dhe mësim....

Lëvizja qytetare për libra dhe mësim mbajti pasditen e së martës në Shkup protestën e radhës  kundër Ligjit për tekstet digjitale dhe mësimin online.

Protesta filloi para Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, vazhdoi me një marsh para objektit të Qeverisë dhe më pas përfundoi para Kuvendit.

Para institucioneve më të larta shtetërore protestuesit përcjellën porosinë se janë pro reformave  por jo në mënyrën se si  ato janë propozuar nga MASH-i.

Prindërit, disa prej tyre të shoqëruar nga fëmijët,  ngritën zërin  kundër mësimdhënies në internet.

Librat digjital dhe mësimi në distancë, sipas tyre po dëmton psiqikisht fëmijët dhe pamundëson mësimin dhe edukimin e rregullt të tyre.

“Mësimi në internet nuk funksionon, nuk duhet të nxitojmë me dixhitalizimin. Carovska nuk e dëgjon revoltën tonë. Duhet të ketë libra dhe kthim në shkollë. Ne nuk jemi kundër reformave, por duhet të ketë libra shkollorë” – tha  Maksim Krsteski nga “Zëri i Shkollës së Mesme”.

“Mësimi në internet nuk është një zgjidhje. Në vend që të flasin me ekspertë, ata duan ta shtyjnë këtë reformë, por nuk do të funksionojë. Ose Mila do të bjerë ose ne do të biem” – u shpreh një prind.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministres Carovska me parullën "Fëmijët tanë nuk janë eksperiment". (Sedat Selimi, TVM2)