Ulen shifrat Covid, spitali i Strugës kthehet në normalitet
Pas një vit e tre muajsh....

Pas një vit e tre muajsh, reparti intern në spitalin e Strugës tani është kthyer në normalitet dhe nuk është më qendër Covid. Momentalisht në spitalin modular për Covid-19 në Strugë, ka vetëm 11 pacientë të shtruar, prej të cilëve një është me mbështetje të oksigjenit. Gjatë javës së kaluar vetëm dy pacientë janë diagnostikuar me Covid-19.
“Kemi momentalisht 11 pacientë në spitalin modular, ndërsa spitali Covid-19, i cili funksiononte me pacientë të infektuar me Covid-19 momentalisht janë dhënë kushtet dhe ne mundohemi të kthehemi në normalitet, në aspekt të asaj që tanimë funksionon me sëmundje internistike dhe aty kemi pacientë me sëmundje internistike.”,- tha drejtori i spitalit të Strugës, Arment Arsllani.
Pas shumë kohësh, edhe punonjësit shëndetësorë javëve të fundit janë lehtësuar. Puna në Repartin e Radiologjisë dhe laboratorin për analiza dhe tomografi kompjuterike është zvogëluar.
“Sa i përket Repartit të Radiologjisë, nga aspekti i incizimeve rentgen të mushkërive kemi një numër prej 28 mesatare e 7 ditëve të fundit. Nga ana tjetër do të theksoj edhe kontrollet laboratorike të cilat kanë qenë në frekuencë më të madhe, ndërsa në 7 ditët e fundit kemi një mesatare prej 100 pacientësh të cilët po bëjnë analizat e duhura në laboratorin tonë.”,- tha drejtori i spitalit të Strugës, Arment Arsllani.
Pandemia është duke u zbehur, numri i pacientëve të rinj me Covid-19 është zvogëluar dhe në të njëjtën kohë, në rajonin jugperëndimor të vendit vaksinimi zhvillohet pa asnjë problem. Deri më tani janë vaksinuar 14 500 qytetarë, ndërsa numri i rivaksinimeve është 1500. (Ilmie Zhaku, TVM2)
