Reformat në arsim, vazhdojnë përplasjet LSDM-VMRO-DPMNE

27.05.2021 15:10

Vazhdojnë përplasjet LSDM/VMRO-DPMNE....

Vazhdojnë përplasjet LSDM/VMRO-DPMNE për reformat në arsim. LSDM akuzon opozitën se as në Kuvend dhe as jashtë tij, nuk heq dorë nga bllokada e reformave në arsim, madje e akuzon edhe për organizimin e protestave.

“Fiaskoja e re në protestat e djeshme konfirmoi se VMRO-DPMNE nuk kujdeset për studentët, nuk kujdeset për arsimin, ka rëndësi vetëm që ata të pengojnë reformat në arsim. Në atë drejtim janë njoftimet për organizimin e një referendumi për të cilin vetë VMRO-DPMNE e di se nuk do të jetë i suksesshëm.”,- tha deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.

Nga partia e Mickoskit akuzojnë ministren, Mila Carovska, se po shtyn me forcë reformat e pretenduara arsimore. Thonë se sigurisht që i përkrahin protesta e prindërve kundër reformës, por referendumi është iniciativë e prindërve.

“Nisma qytetare veç më ishte, javën e kaluar kishim komision dhe kemi biseduar në këtë temë, ku procedura që të arrihet deri te referendum veç më është filluar, kështu që do ta fillojnë personalisht ata si iniciativë qytetare. Sigurisht, ne si VMRO-DPMNE e mbështesim.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Kirill Pecakov.

Paralajmërimet për digjitalizimin e arsimit i komentoi edhe kreu i SASHK-ut, Joakim Nedellkovski. Ai thotë se si prindër çdokush ka qëndrim, por si sindikatë nuk kanë të drejtë të përzihen.

Një ndërhyrje e SASHK-ut do të ndodh vetëm nëse preken të drejtat e punëtorëve në arsim dhe eventualisht nëse shfaqen probleme në procesin e trajnimit të mësimdhënësve si dhe në sigurimin e pajisjeve teknologjike. (Sanije Duraku, TVM2)