Kuvendi do t’i rikthehet normalitetit, Xhaferi: Seanca e radhës në sallën 1

27.05.2021 15:59

Parlamenti pritet t’i rikthehet punës në kushte normale....

Parlamenti pritet t’i rikthehet punës në kushte normale, në pjesën e parë e Qershorit. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, planifikon që seancën e rradhës, më 8 qershor ta mbajë në Sallën numër një.

Sipas tij, me vaksinimin e deputetëve, të punësuarve në Kuvend dhe gazetarëve, janë plotësuar kushtet bazë për t’u rikthyer në normalitet. Megjithatë fjala e fundit i mbetet Komisioni Shtetëror për Sëmundje Infektive.

“Planet, apo parashikimet janë që séanca e radhës të jetë në sallën numër një. Në sallën ku kemi punuar në kushte normale, por për këtë kemi dërguar letër deri te Ministria për Shëndetësi, Komisioni Shtetëror për Shëndetësi, e cila duhet të jep mendimin përfundimtar dhe ndryshimin dhe plotësimin e mundshëm të protokolleve për punën në kushte të tilla.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Sipas kryeparlamentarit, nuk ka ndonjë paralajmërim për bllokim të punës së Kuvendit nga ana e opozitës, por megjithatë as nuk e përjashtoi si mundësi. Në takimin tradicional me gazetarë informoi se deri në fund të këtij muaji, pritet që në Kuvend të vijë rebalanci i buxhetit, ndërsa deri më datë 8 qershor të shqyrtohet të paktën njëra nga dy interpelancat e opozitës, njëra për punën e Ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiç, dhe tjetra për zëvendëskryeministrin për luftën kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski.

Për shkak të epidemisë, Kuvendi punon në kushte të pazakonshme që nga 4 gushti i vitit të kaluar, në pajtueshmëri me protokollet shëndetësore për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid–19. Gjatë kësaj periudhe seancat plenare mbahen në Sallën e Madhe në Kupolë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)