Kuvend – pyetje deputetësh, VMRO: Pushteti fsheh tatimet dhe helmon qytetarët
VMRO–DPMNE fajësoi ndërmarrjet e afërta....

VMRO–DPMNE fajësoi ndërmarrjet e afërta me kryeministrin Zaev për rritjen e huamarrjeve të shtetit në kurriz të qytetarëve. Sipas deputetit, Zoran Jovançev, ndërmarrjet e afërta me kreun e ekzekutivit nuk kanë paguar tatime në vlerë prej 1.5 milion euro.
Opozita në pyetjet e deputetëve kërkoi llogari nga drejtorja e DAP–it, Sanja Llukarevska, përse nuk detyron ndërmarrjet të paguajnë tatimet.
“Vetëm këtë vit kalendarik, kur këto ndërmarrje nuk paguajnë tatime, Maqedonia rriti borxhin për mbi 1 miliard euro, ndërkohë familja Zaev jetojnë në luks dhe nuk paguajnë tatim. DAP nuk ndërmer asgjë për tatimet e papaguara, ndërkaq në shkëmbim Llukarevska fiton funksion të lartë, nënkryetare të partisë. Sanja Llukarevska, këtë e toleron dhe nuk i detyron që të paguajnë, ndërkohë populli dënohet të paguajë kreditë e shtrenjta të shtetit.”,- theksoi deputeti i VMRO–DPMNE–së, Zoran Jovançev.
Në vend të kryeministrit, akuzave të tilla, pas pauzës iu përgjigj zëvendës ministër i financave, Dimitar Kovaçevski. Ai i doli në mbrojtje drejtores Llukarevska në grumbullimin e tatimeve.
“Në periudhën janar – prill 2021, kemi grumbullim të të gjitha tatimeve mbi nivelin e tre muajve të parë vitit 2020 të cilat nuk cilësohen si periudhë krize. Kemi grumbulluar 6.3% të tatimit personal. 8.3% të tatimit të fituar dhe 27.7% më shumë grumbullim të tatimit të vlerës së shtuar.”,- theksoi zëvendësministri i financave, Dimitar Kovaçevski.
Nuk munguan as akuzat në adresë të qeverisë për helmim të qytetarëve si pasojë e importit të miliona tonëve të mazutit të dëmshëm dhe të dyshimtë të shfrytëzuar në institucionet shtetërore që nga koha e zëvendës kryeministrit Koço Angjushev. Zaev i cili i doli në mbrojtje të ish bashkëpunëtorit të tij në ekzekutiv, tha se hetimet janë duke u zhvilluar.
“Faji duhet të shikohet se si ka hyrë mazuti, nafta, benzina në shtetin tonë dhe do të duhet të vërtetohen përgjegjësitë. Deri më tani është vërtetuar se sulfuri nuk është problem pasi që është 1%, por problem është sasia më e madhe e ujit rreth 4% dhe sasi më e madhe e pluhurit brenda sasive. Do të zbardhet gjithçka dhe do të ketë vendime për ndalesë të ushtrimit të veprimtarisë të atyre kompanive.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
E Majta bashkë me VMRO-në kanë kritikuar prokurorin shtetëror për mungesën e tij në pyetjet e deputetëve dhe kanë kërkuar pjesëmarrjen e tij në seancat e radhës. (Meral Ismaili, TVM2)
