Covid-19, SHBA kërkon hetim të ri për origjinën e virusit

27.05.2021 19:09

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden....

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka udhëzuar hetime të reja të shërbimeve sekrete për origjinën e pandemisë së koronavirusit, që prej më shumë se një viti e ka vendosur mbarë botën në gjendje të jashtëzakonshme. 

Në thelb duhet sqaruar çështja, nëse një aksident në institutin studimor në qytetin kinez Vuhan ka shkaktuar pandeminë në mbarë botën.

Mbi 3,4 milionë njerëz, sipas të dhënave zyrtare, kanë gjetur vdekjen deri tani prej koronavirusit ose me koronavirusin.

Kina kundërshton hetimet e paralajmëruara amerikane për origjinën e koronavirusit, duke akuzuar Uashingtonin se po provon të politizojë kërkimet. Ndërkohë që mbi 1.77 bilion doza të vaksinave janë dhënë deri më tani në mbarë globin.

Të paktën një doze e kanë pranuar rreth 800 milion, kurse me dy dozat janë vaksinuar rreth 410 milion persona.

Lloji indian i Covid-19, disa shtete shtojnë kufizimet

Por përderisa procesi i imunizimit po rrjedh, bota po i frikesohet përhapjes së variantit indian te virusit korona.

Shume shtete kane shtuar kufizimet e tyre për të parandaluar përhapjen e këtij lloji të virusit. 

Melburni, qyteti i dytë më i madh i Australisë, ka vendosur një izolim shtatë ditësh. Njerëzit do të mund të largohen nga shtëpitë vetëm për çështje urgjente apo për t’u vaksinuar.

Franca njoftoi se vizitorët nga Britania e Madhe do të obligohen të qëndrojnë në një karantinë të detyrueshme shtatë-ditore për të parandaluar përhapjen e variantit të zbuluar në Indi.

Austria, tha më 26 maj se po ndalonte fluturimet direkte dhe vizitat turistike nga Britania e Madhe dhe Gjermania. (Belinda Koka Ademi, TVM2)