Maqedoni

KSI me propozim-lehtësim të masave restriktive, nga 1 qershori pa maska në ambient të hapur

28.05.2021 10:47

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në mbledhjen e mëngjesit solli vendim që nga 1 qershori të ketë lehtësim....

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në mbledhjen e mëngjesit solli vendim që nga 1 qershori të ketë lehtësim të masave  restriktive kundër virusit Covid-19. Propozimet e Komisionit do t’i dorëzohen Shtabit të Krizës, ndërsa fjalën e fundit do ta ketë Qeveria.
 
Duke filluar nga 1 qershori, maskat mbrojtëse nuk do të jenë obligative për t’i mbajtur në ambiente të hapura, ndërsa për ambientet e mbyllura  dhe gjithandej ku nuk mund të respektohet distanca e nevojshme, maskat akoma mbeten obligative. Komisioni gjithashtu rekomandon që të ndërpritet ndalesa për grumbullime në ambiente të hapura dhe nëse numri i personave të grupuar është shumë i madh, atëherë maskat mbeten si rekomandim për t’u mbajtur. Propozohet gjithashtu që të lejohet mbajtja e tubimeve familjare dhe dasmat me maksimum  shfrytëzim të 50% të kapacitetit në ambientin e hapur dhe jo më shumë se 100 persona të pranishëm. Numri maksimal i personave në një tavolinë  të jetë 6 veta.
 
Edhe manifestimet dhe ngjarjet sportive në ambiente të hapura të mund të përcillen me publikë dhe me shfrytëzim deri në 30% të kapacitetit të stadiumit. Komisioni rekomandon që ora policore të mbetet akoma në fuqi. Gjatë kësaj dhe javës që vjen, Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në bashkëpunim me organizatorët e ngjarjeve do të punojë në precizimin e protokolleve edhe për mbajtjen e koncerteve në ambient të hapur për të cilat do të merret vendim i qartë pas 15 qershorit. Ministria e Shëndetësisë vazhdon të apelojë qytetarët që t’ju përmbahen në mënyrë të përpiktë protokolleve.