Maqedoni

KSI propozon lejimin e dasmave, maskat në ambient të hapur joobligative

28.05.2021 14:46

Bazuar në përmirësimin e gjendjes epidemiologjike në vend, Komisioni për Sëmundje Infektive...

Bazuar në përmirësimin e gjendjes epidemiologjike në vend, Komisioni për Sëmundje Infektive propozon zbutjen masave kufizuese. Siç bëri të ditur ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, nga Komisioni propozojnë që maskat të mos jenë të obligueshme, ndërsa lejohet edhe organizimi i dasmave dhe aktiviteteve sportive me tifozë, në ambiente të hapura.
 
“Komisioni kishte qëndrim se mund të zbuten masat aktuale kufizuese. Në këtë drejtim maskat në ambient të hapur të mos jenë të obligueshme, të hiqet ndalesa për grupim dhe në formë rekomandimi qytetarët nëse grupohen qytetarët duhet të kenë parasysh se maska është mbrojtje shtesë për shëndetin. Lejohen festa dhe organizime të dasmave me numër maksimal prej 100 të ftuarish në ambient të hapur, por kapaciteti të mos jetë i mbushur më shumë se 50% të kapacitetit të përgjithshëm ku organizohet festa. Lejohen ndeshjet sportive me publikë në ambiente të hapura por jo më shumë se 30% e kapacitetit.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Numri i lartë i vdekshmërisë, Filipçe: Ende ka pacientë në gjendje të rëndë
 
Ora policore tani për tani mbetet në fuqi nga mesnata deri në orën 4 të mëngjesit, tha Filipçe, i cili sqaroi se sa i përket numrit të lartë të personave që humbin jetën brenda 24 orësh, kjo ndodh për shkak se në qendrat infektive ende ka të infektuar me Covid-19 të cilët janë në gjendje të rëndë.
 
“Bëhet fjalë për rastet më të rënda që kanë mbetur në spitale për trajtuar. Sipas përvojës e dimë se sa janë gjasat të mbijetojnë pacientët të cilët janë në gjendje të rëndë klinike në respiratorë.  Prandaj ende kemi raste të rënda në Klinikat infektive, prej këtu është edhe numri i rasteve të vdekjes.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Filipçe njëherit bëri të ditur se vaksinimi po zhvillohet pa pengesa në të gjitha pikat e vaksinimit në vend. Interesimi për vaksinim çdo ditë po rritet, ndërsa deri më tani 427 mijë e 535 qytetarë kanë shprehur dëshirë për tu vaksinuar nëpërmjet ueb-platformës vaksinacija.mk. Vetëm gjatë ditës së enjte janë vaksinuar gjithsej 11 mijë e 598 qytetarë, ndërsa dozën e parë e pranuan 2504 persona. Që nga fillimi janë vaksinuar gjithsej 231 mijë e 14 qytetarë, ndërsa janë rivaksinuar 59 mijë e 815 qytetarë. Edhe raporti i 24 orëve të fundit për gjendjen epidemiologjike flet se gjendja me pandeminë vazhdon të mbetet stabile. Gjatë 24 orëve të fundit nga 2.955 të testuar janë regjistruar 50 raste të infektuar, ndërsa janë regjistruar edhe 81 pacientë të shëruar dhe 18 të vdekur. Aktualisht në vend ka edhe 2.449 raste aktive. 
 
REJHAN BUSHI METAJ