Maqedoni

Ngecja e procesit eurointegrues, Zaev: BE është fajtore, sidomos Bullgaria

28.05.2021 15:13

Kreu i qeverisë, Zoran Zaev....

Kreu i Qeverisë, Zoran Zaev, konsideron se përfshirja e ndërmjetësuesve nga Brukseli  në dallimet me Bullgarinë nuk është i nevojshëm sepse karakteri i kontestit është bilateral dhe si i tillë duhet zgjidhur.

Shpreson se me Sofjen është krijuar atmosferë më relaksuese dhe kjo mundëson në përafrimin e qëndrimeve drejt zgjidhjes. Gjithsesi për ngecjen e rrugës eurointegruese Zaev fajëson  Evropën, me theks të veçantë Bullgarinë dhe  Greqinë.

“Në pjesën e përfshirjes së vendeve evropiane në zgjidhjen e problemit mes nesh dhe fqinjit bullgar, gjithmonë janë të mirëseardhur miqtë që duan të ndihmojnë por definitivisht ky është problem bilateral dhe ne duhet ta zgjidhim në mënyrë bilaterale… Normalisht ne presim dhe Bullgaria vërteton se dëshira jonë dhe aspirata e tyre në të ardhmen do të jetë përkrahja e tërë Ballkanit Perëndimor për integrim në BE. Është me rëndësi të punojmë në gjetjen e zgjidhjes. Unë një do ta them, se Evropa është fajtore dhe n a ka borxh shumë. Evropa dhe Bullgaria, Greqia dhe  vende tjera të BE-së.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Osmani: Ka filluar rikthimi i besimit me Sofjen

Ndërkohë, ministri i jashtëm, Bujar Osmani, thotë se tre javët e qershorit do të shfrytëzohen maksimalisht për të gjetur zgjidhje me Bullgarinë.

Propozimi i Portugalisë është në kornizat e qëndrimeve të RMV-së, Bullgarisë dhe BE-së, thotë shefi i diplomacisë.

“Mendoj se procesin e rëndësishëm të kthimit të besimit e kemi filluar seriozisht ditëve të fundit dhe planifikojmë në 2-3 javët e ardhshme ta ndërtojmë atë besim me hapa të vegjël dhe të mëdhenj të cilat u lëshuan periudhën e kaluar për arsye të ndryshme… Plani i Portugalisë  nuk ka tejkaluar qëndrimet  e caktuara të tre pozicioneve që të mund të hidhet si zgjidhje. Punojmë në mënyrë bilaterale me Bullgarinë, punojmë edhe me vendet anëtare që të shfrytëzojmë  këto javë që ky vendim të shndërrohet në vendim përfundimtar për t’i mënjanuar  dallimet mes dy shteteve.”,- u shpreh ministri i jashtëm, Bujar Osmani.                

Osmani nuk komenton nëse qeveria teknike aktuale  në Bullgari ka mandat për të miratuar vendime të rëndësishme diplomatike  por thotë se kjo qeveri në fqinji lindor ka qasje konstruktive ndaj problemit me vendin tonë. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)