Zaev: Mbushja e buxhetit po shënon rritje
Gjendja ka filluar të kthehet në normalitet....

Gjendja ka filluar të kthehet në normalitet edhe sa i përket mbushjes së arkës shtetërore, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev. Sipas tij, muajin maj do ta mbyllim me 200 milion euro më shumë vetëm nga doganat dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, në krahasim me 5 muajt e parë të vitit të kaluar.
Sipas Zaevit, vetëm dogana ka shënuar rritjen e të ardhurave për 6,7 për qind në krahasim me pesë muajt e parë të vitit 2019 dhe është i mendimit se aktualisht nuk ka nevojë të rritet deficit buxhetor.
“Kishim mundësi të shohim se çdo ndihmë e dhënë drejt më të varfërve, punëtorëve dhe kompanive, në një far mënyre po na kthehet në buxhetin e shtetit. Ne dhe politika jonë është e destinuar për të ndihmuar, sepse harxhimi privat i çdo qytetari, është pjesë e rëndësishme e rritjes së Bruto Prodhimit Vendor, por kjo arrihet kur qytetarët të kenë në duar më shumë mjete për të harxhuar, e cila më pas ringjallë ekonominë dhe hapë vende të reja të punës.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeministri Zaev po ashtu potencoi se do të ketë ulje të tatimeve. Rritje do të ketë vetëm tek tatimet e pasurive të patundshme, përkatësisht për shtëpinë dhe banesën ku jetojnë qytetarët do të paguajnë 50 për qind, për shtëpi ose banesë ku nuk jeton askush do të paguhet 100 për qind, ndërsa tre herë më shumë do të paguajnë ato të cilët kanë objekte afariste e të cilat nuk janë aktiv.
Bytiqi: Padi penale për kompanitë që nuk i ndanë rrogat
Ndërsa zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, duke iu përgjigjur akuzave të sindikatës dhe punëtorëve për mos pagesën e rrogave për muajit mars dhe prill nga ana e kompanive edhe pse të njëjtat kanë marrë mjete nga pakot ekonomike të qeverisë, sqaroi se qeveria nuk mund t’i transferojë mjete drejtpërdrejt tek punëtorët, sepse me këtë vendoset në vendin e punëdhënësit.
“Ne kemi thënë qartë se Qeveria nuk mund të marrë rolin e punëdhënësit në pagimin e pagave të punëtorëve, sepse mendoj se do të kishim prishur shumë rregulla të cilat janë vendosur në tregun e lirë të punës. Ne si Qeveri kemi treguar se me vendosjen e masave kemi krijuar mekanizëm për të gjetur çfarëdolloj keqpërdorimi të parasë publike.”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
Të gjithë ata të cilët nuk kanë paguar pagat e punëmarrësve do të përballen me padi penale, theksoi Bytiqi. (Fitim Kryeziu, TVM2)
