Gjykimi për “Organizatorët e 27 prillit”, Ristovski dhe Janakievski nuk ndjehen fajtorë
Në procesin gjyqësor për “Organizatorët e 27 prillit”....

Në procesin gjyqësor për “Organizatorët e 27 prillit”, njëri nga të akuzuarit - ish-ministri i Arsimit, Spiro Ristovski, ka deklaruar se dëshmia e Aleksandar Vasilevskit – Ninxha, që ka të bëjë me të, është e rrejshme.
“Bëhet fjalë për dëshmi të rrejshme nga personi Aleksandar Vasilevski - Ninxha. Në ditën e ngjarjes nuk kam komunikuar e as nuk e kam takuar në hapësirat e VMRO-DPMNE-së, siç pohon ai. Në atë periudhë nuk kisha asnjë funksion partiak, nuk kisha asnjë kontakt me strukturat e partisë”,- deklaroi Ristovski në gjykatë. Ai tha se nuk ka marrë pjesë në protestat “Për Maqedoninë e përbashkët” dhe se ato nuk i ka organizuar VMRO-DPMNE-ja, si parti.
Nga organizatorët e ka njohur vetëm Bogdan Ilievskin. Edhe i akuzuari tjetër ish-ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski, hedhin poshtë akuzat duke theksuar se nuk e ka njohur Aleksandar Vasilevskin-Ninxha.
“Personin Aleksandar Vasilevski-Ninxha, me plot përgjegjësi pohoj se për herë të parë e kam parë në këtë sallë kur dëshmonte. Kjo ishte hera e parë që jam në hapësirë të njëjtë me këtë persona. Prej meje ka 45 mijë biseda të përgjuara në mënyrë të paligjshme. Unë jam person i cili është përgjuar ilegalisht në këtë shtet. Listat janë të aksesueshme në Prokurori dhe me këtë person asnjëherë nuk kam biseduar apo shkëmbyer mesazhe”, deklaroi Jankieski.
Të akuzuar në këtë lëndë - ish-kryeparlamentari, Trajko Velanovski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish-ministri i Arsimit, Spiro Ristovski, si dhe ish-drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski, - akuzohen për veprën penale “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
