Kovid-19, ShBA-të kërkojnë origjinën e virusit
India edhe më tej mbetet një prej vendeve më të prekura....

India edhe më tej mbetet një prej vendeve më të prekura nga pandemia e Covid-19. Vetëm gjatë ditës, jetën e kanë humbur 3.660 persona, me këtë numri i viktimave shkon në 318.895. Por, ekspertët besojnë se numri i vërtetë i viktimave dhe i të infektuarve është shumë më i lartë.
Edhe në Gjermani shifrat janë të larta, numri i viktimave deri tani nga Covid-19 ka shkuar në 88 mijë.
Ndërsa në SHBA deri tani janë regjistruar mbi 592 mijë viktima. Presidenti i SHBA-ve, Jo Biden, tha se vendi i tij do të publikojë gjetjet mbi origjinën e koronavirusit dhe bëri thirrje për hetime të mëtejshme.
“I kam kërkuar komunitetit të zbulimit që të dyfishojë përpjekjet për të mbledhur dhe analizuar informacione që mund të na sjellin më pranë një përfundimi dhe të më raportojnë mbi këtë çështje brenda 90 ditësh. Si pjesë e këtij raporti, kam kërkuar hetime të mëtejshme, duke përfshirë pyetje specifike për Kinën.”,- tha presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Komuniteti i inteligjencës amerikane tha se agjencitë e zbulimit të SHBA-së kanë dy teori për origjinën e COVID-19. Njëri variant është se virusi doli natyrshëm nga kontakti njerëzor me kafshë të infektuara dhe versioni tjetër është se burim i pandemisë globale mund të ketë qenë një aksident laboratorik.
Edhe Britania e Madhe ndodhet nën kolaps nga virusi Korona, për këtë arsye janë ngritur akuza për keq-menaxhim ndaj kryeministrit, Boris Johnson, nga ish këshilltari i tij. Ai ka reaguar pas akuzave.
“Natyrisht ka qenë një vit shumë i vështirë kur u ndërmorën një seri vendimesh tepër të vështira, asnjë prej të cilave nuk i kemi marrë lehtë. Dhe ju duhet ta kuptoni dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë këtë, që kur vendoseni në një bllokim është shumë e dhimbshme, traumatike për njerëzit për shëndetin mendor dhe jetesën e tyre. Ne kemi qeverisur me vendosmëri për të mbrojtur jetën, për të shpëtuar jetën, për të siguruar që spitalet tona nuk u mbingarkuan dhe kemi ndjekur të dhënat dhe udhëzimet.”,- u shpreh kryeministri i Britanisë, Boris Johnson.
Por në Suedi, situata shkon drejt përmirësimit për këtë arsye fillon heqja e masave
“Ne po shohim fillimin e fundit. Heqja e kufizimeve po bëhet me përgjegjësi dhe me përgatitjen e nevojshme për t’u përballur me një situatë ku shkalla e infeksionit mund të rritet sërish.”,- u shpreh kryeministri i Suedisë, Stefan Löfven.
Lofven paralajmëroi se “nëse gjërat shkojnë keq, ne jemi të gatshëm t’i ndalojmë këto lehtësime”. Pavarësisht rënies gjatë javëve të fundit, incidenca e rasteve të Covid-19 dhe vdekjeve mbeten të larta. Sipas raportit të publikuar nga OBSH, gjatë 7 ditëve janë raportuar 4.1 milion raste me Covid në të gjithë botën, një rënie e numrit të të infektuarve prej 14% krahasuar me një javë më përpara. Ndërsa numri I viktimave ka shënuar rënië për 2%. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
