ISHP: 39 persona të infektuar nga virusi HIV
Gjatë 11 muajve, në Maqedoni janë regjistruar 39 raste të reja me virusin HIV...

Prej tyre 16 janë të sëmurë kurse 23 janë bartës të virusit. Gjatë këtij viti, tre të sëmurë me këtë virus kanë vdekur.
Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, 37 nga rastet e sapozbuluara janë burra kurse vetëm dy janë gra. 20 nga të infektuarit janë nga Shkupi, 3 nga Kumanova dhe Shtipi, 4 janë regjistruar në Koçani, nga 2 në Kavadarë, Prilep dhe Shën Nikollë kurse nga 1 janë regjistruar në Tetovë dhe Strumicë.
Shumica e të prekurve janë të moshës 20 deri në 39, por ka edhe më të rinj dhe më të moshuar. I infektuari më i ri me këtë sëmundje është një fëmijë 10 vjeç.
25 nga rastet e reja janë infektuar në mënyre homoseksuale, 10 në mënyrë heteroseksuale, një person është infektuar gjatë injektimit me drogë kurse për 3 raste ende nuk dihet shkaku i infektimit.
Sipas analizës, këtë vit numri i të prekurve është 30 % më i lartë se ai i vitit të kaluar.
Që prej vitit 1987, kur u zbulua rasti i parë me HIV pozitiv në Maqedoni, e deri më sot, numri i të prekurve është 236, dhe vetëm 10 prej të cilëve janë të huaj. 75 nga të sëmurët kanë vdekur deri tani.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
