Maqedoni

Rritja e çmimit të e. elektrike?!, qytetarët: Nuk mund ta përballojmë

30.05.2021 13:50

A do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike apo jo?. Kjo është pyetja që kohës së fundit...

A do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike apo jo?. Kjo është pyetja që kohës së fundit parashtrohet në opinion. Qytetarët ashpër kundërshtojnë një ide të tillë. Ata përTVM2 theksojnë se të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme për të paguar faturat edhe me çmimin aktual të energjisë elektrike. 
 
“Keq është. Qytetarët nuk janë duke mundur ta paguajnë as atë që e paguajnë, e lërë më rritjen. Çka po kujtojnë këto, ra rroga, pa asgjë”. 
 
“Besoj që është një katastrofë për qytetarët. Edhe ashtu e kanë gjendjen e rënduar, ajo më tepër do ti rëndojë”, shprehen qytetaret.
 
MEPSO, Ramadani: Kemi ulje të të hyrave 
 
Rregullatorët po debatojnë pas kërkesave të kompanive energjetike MEPSO, MEMO dhe Elektro-Distribuimi për rritje të të ardhurave të tyre.  Nga MEPSO sqarojnë se në qoftë se një faturë e energjisë elektrike është 1000 denarë, rritja do të ishte 35 denarë. Drejtori i MEPSO Kushtrim Ramadani thekson se një kërkesë e tillë është për shkak të uljes së të hyrave të  MEPSO-s. 
 
“Kanë rënë kapacitetet ndërkufitare, harxhimet nuk i kemi të rritura shumë, por hyrjet i kemi të zvogëluara në krahasim me atë që kemi pasur përpara, kapacitetet ndër-kufitare. Tani ato të hyra kanë rënë shumë, por kjo është shumë pozitive sepe kur të importohet rryma, tregtarët do të paguajnë kapacitete ndërkufitare më të vogla. Kështu që mund ta shesim rrymën më lirë në treg”, theksoi drejtori i MEPSO, Kushtrim Ramadani.
 
Rregullatorët javën e ardhshme do të fillojnë analizat për arsyeshmërinë e kërkesave për rritje të të hyrave të kompanive, kurse në fillim të qershorit do të shpall tenderin për prokurimin e energjisë elektrike deri në fund të vitit. Për momentin Maqedonia e Veriut paguan rrymë ku 1 kilovat në orë kushton 4.8 denarë. 
 
ERSAN PAJAZITI