Maqedoni
MPJ do të rrjetëzojë të suksesshmit në diasporë, Osmani: Ikjen e trurit ta vëmë në qarkullim
30.05.2021 15:02
Ministria e Punëve të jashtme përmes një projekti të ashtuquajtur “MKarta” të rrjetëzojë shtetasit...

Ministria e Punëve të jashtme përmes një projekti të ashtuquajtur “MKarta” të rrjetëzojë shtetasit tanë që janë të suksesshëm në diasporë. Këto persona do të përfshihen në hartimin e politikave dhe marrjen e vendimve me interes për shoqërinë dhe në këmbim do të kenë benificione dhe përkrahje nga institucionet vendore.
“Ky rrjet do të menaxhohet nga Ministria e Jashtme nga një trup koordinues, i cili do të lehtësojë funksionimin e tyre, do të mundësojë që kjo të jetë një rezervoar ekspertësh të cilët do të bëhen pjesë e vendimeve të shoqërisë sonë por gjithashtu do të mundësojë një pako privilegjesh për ta, duke mundësuar lehtësimin për hapjen e bizneseve, ndihmë financiare nga institucionet për investimet që bartësit e kësaj karte do të kenë në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh ministri i jashtëm Bujar Osmani.
Zbatimi i këtij projekti do të fillojë nga 31 maj, kur përfaqësitë konsulare dhe diplomatike do të fillojnë me identifikimin, kontaktimin dhe pajisjen e personave të tillë me libresën “MKarta”.
“Nga nesër përefaqësitë diplomatike dhe konsulare do të fillojnë identifikimin e këtyre njerëzve, siç thashë, janë: shkencëtarë, mjekë, biznesmen, janë njerëz të sportit dhe kulturës të cilët tani do të vihen në funksion të një komunikimi më të mirë dhe më të përafërt mes tyre dhe institucioneve”, theksoi Osmani.
Projekti ka për qëllim që ikjen e trurit ta konvertojë në qarkullim të trurit dhe ta vë në interes të ndërsjellë të njerëzve të ekselencës dhe vendit të origjinës. Ndërkaq, libresa “MKarta” në asnjë rast nuk zëvendëson dokumentet e identifikimit siç është letërnjoftimi dhe pasaporta.
SHPËTIM NUREDINI
