Shtabi i Krizës i pranoi rekomandimet, lehtësohen masat, ora policore mbetet në fuqi

31.05.2021 12:25

Shtabi i Krizës i pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për lehtësimin e masave nga 1 qershori....

Shtabi i Krizës i pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për lehtësimin e masave nga 1 qershori. Nuk do të duhet të mbajmë maska në ambiente të hapura, vetëm në ambiente të mbyllura dhe në transportin publik. Ngjarjet sportive në stadiume të hapura do të mbahen me publik, por vetëm në 30% të kapacitetit, me respektim të distancës fizike. Hiqet ndalesa për grupim të më shumë se 4 personave në ambiente publike. Lokalet mund të shtojnë numrin e klientëve nga 4 në 6 në një tryezë. Nuk do të ketë më punë me grupe apo punë nga shtëpia. Dhe lajmi më i rëndësishëm për ata që kanë vendosur të kurorëzojnë lidhjen e tyre, lejohet organizimi i dasmave, me maksimum 100 persona, por jo më shumë se 50% nga kapaciteti i hapësirës, duke respektuar distancën fizike dhe masën për maksimum 6 persona në një tavolinë. Ora policore vazhdon të vlejë deri më 15 qershor. Qytetarët e intervistuar nga TVM thonë se lehtësimi i masave është i mirëpritur, por i hershëm.
 
 
“Unë mendoj që është ende herët që të hiqen maskat, të bëhen dasmat, të paktën mos të lirohen masat edhe për 1 muaj.”,- theksoi një qytetar.
 
“Ne qytetarët nuk jemi ekspertë, ashtu si të vendosin ne do të bëjmë. Ne na mbetet vetëm t’i respektojmë masat.”,- u shpreh një qytetar. 
 
Autoritetet shëndetësore gjithsesi apelojnë që me gjithë lehtësimin e masave, sigurisht që edhe më tej duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që të mos i rikthehemi prapë situatës që përjetuam gjatë më shumë se një viti.
 
REJHANE BUSHI METAJ