Maqedoni

Pr/ligji për Shtetësi, VMRO-DPMNE kërkon debat publik

31.05.2021 15:22

Komisioni parlamentar për mbrojtje dhe siguri s’arriti të hap debatin për propozim ligjin për shtetësi....

Komisioni parlamentar për mbrojtje dhe siguri s’arriti të hap debatin për propozim ligjin për shtetësi. Seanca nisi me vërejtje të shumta të VMRO – DPMNE – së të cilët kërkuan ndërprerje të punës së komisionit dhe hapjen e debatit publik dhjetë ditët në vijim. Sipas tyre ekspertët duhet të vendosin për arritjen e një ligji përmbajtjesor afatgjatë.
 
“Në një séance të atillë mund të thërrasim institucione kompetente, ministrinë e brendshme, të drejtësisë, të Komitetit të Helsinkit, organizata për të drejtat e njeriut, mund ta ftojmë edhe gjyshen nga Debreshi përse nuk ka marrë shtetësi 30 vite, por mund ta ftojmë edhe Sedat Peker përse ka marrë shtetësi për tre javë dhe të shohim se ku qëndron problemi.”,- tha deputeti i VMRO–DPMNE–së, Antonio Milloshovski.
 
ASh-Alternativa paralajmëruan amendamente
 
Opozita shqiptare si propozues të ndryshimeve ligjore kundërshtuan shtyrjen e procesit duke organizuar debat publik, pasi sipas tyre ndryshimet ligjore duhet të votohen urgjentisht. Paralajmëruan dorëzimin e amendamente dhe ftuan t’u bashkëngjiten edhe partitë e tjera.
 
“Të bëhemi të gjithë së bashku, edhe VMRO – ja mund të jep amendamente dhe E Majta mund të jep amendamente edhe çdo kush tjetër edhe ne edhe shumica mund të japin amendamente, të jenë konstruktive dhe në shërbim të propozim ligjit dhe në fund të gjithë bashkërisht do ta votojmë në kuvend dhe do të kemi një pikë të zgjidhjes së halleve të atyre të cilët janë më se të nevojshëm sot.”,- theksoi Skender Rexhepi nga Alternativa.
 
“Apeloj që këtë debat të pafund ta përmbyllim këtu, ti diskutojmë ato amendamente të komisionit dhe kushdo që ka vërejtje në ato amendamente mund të flas.”,- tha deputeti i ASh-së, Syrija Rushidi.
 
BDI dhe Besa: Debati, hap i vonuar
 
Edhe partitë shqiptare në pushtet këmbëngulën që mos të zvarritet procesi i rrumbullakimit të marrjes së shtetësisë, pasi debati publik sipas tyre është propozim i vonuar.
 
“Do të jemi në mbështetje të çdo ndryshimi eventual për të cilin është dakorduar propozuesi vetëm për një arsye, vetëm që mos të polemizojmë, politizojmë, partizojmë e mos ta abuzojmë me këtë çështje për përfitime të ulëta politike.”,- u shpreh deputeti i BDI–së, Arbër Ademi.
 
“Është mirë që të hapim debatin rreth këtyre amendamenteve dhe aty të japim mendimet tona. E vlerësoj propozimin e kolegëve nga opozita rreth debatit publik, por vlerësoj se kjo çështje ka mund të bëhet më herët.”,- deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
 
Kryetari i komisionit Mile Talevski ndërpreu seancën dhe kërkoi që amendamentet e Aleancës dhe Alternativës të dorëzohen në komision dhe të gjithë anëtarët t’i shqyrtojnë të njëjtat. Vazhdimi i seancës do të caktohet në mënyrë plotësuese.
 
MERAL ISMAILI