Maqedoni
Covid-19, 45 të shëruar, 3 të infektuar e 5 të vdekur
31.05.2021 15:54
3 infektime të reja nga 1325 teste dhe 45 të shëruar, janë shifrat Covid në 24 orët e fundit në vend....

3 infektime të reja nga 1325 teste dhe 45 të shëruar, janë shifrat Covid në 24 orët e fundit në vend. 5 qytetarë të moshave nga 50 deri në 81 vjeç fatkeqësisht nuk arritën të fitojnë betejën Kovid. Një prej tyre ka ndërruar jetë në shtëpi, ndërsa 4 të tjerët në spital. Viktimat janë nga Shkupi, Tetova, Radovishi, Shtipi dhe Probishtipi. Të ulëta edhe shtrimet e reja në spitalet kovid. Në Shkup në 24 orët e fundit kishte vetëm 5 pacientë të rinj. Nga numri i përgjithshëm, prej 1191 rastesh aktive, 506 janë në Shkup. Në Dojran dhe Demir Kapi, nuk ka asnjë rast të ri.
Imunizimi i popullatës, 70 mijë vaksina, donacion nga Bullgaria e Greqia
Vazhdon pa ndërprerë ndërkohë procesi i imunizimit të popullatës. Janë vaksinuar 234.508 qytetarë, 81.273 prej të cilëve me dozën e dytë. Që nga fillimi i vaksinimit, në vend janë regjistruar 664 persona të infektuar me COVID-19, pas pranimit të njërës dozë të vaksinës, prej tyre 75 janë hospitalizuar, ndërsa 22 kanë humbur jetën. Supozohet se ata kanë qenë pozitiv në 14 ditët e para nga vaksinimi, ose kanë qenë në periudhën e inkubacionit në kohën kur e kanë marrë vaksinën. Për fat të mirë nuk ka asnjë rast vdekje pas pranimit të dy dozave të vaksinës. Vendi është në pritje të sasive të reja të vaksinave.
“Këtë javë pritet të vijnë 70 mijë vaksina. 50 mijë nga Bullgaria dhe 20 mijë nga Greqia, me siguri vaksina nga AstraZeneca, por ende nuk kemi konfirmim për llojin e vaksinës, si dhe ato që vijnë rregullisht çdo të hënë vaksinat Pfizer. Presim edhe sasinë e madhe të vaksinave kineze, për të cilat nuk kemi datë të saktë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Dozën e dytë të vaksinës sot e mori edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
“Vetëm vaksinimi na mundëson që të kthehemi në jetën tonë normale, andaj ju lus që të gjithëve që të bëhemi pjesë e përfitimit të imunitetit kolektiv dhe rikthimit të normalitetit.”,- u shpreh zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Aktualisht në sajtin zyrtar të vaksinimit janë paraqitur 431.770 qytetarë.
ZEKIRJA MEXHITI
