Botë
Palmer dhe Lajçak në Kosovë, ShBA dhe BE bashkëpunim për dialogun
31.05.2021 16:16
Në Kosovë po qëndrojnë në vizita të ndara zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Metju Palmer..

Në Kosovë po qëndrojnë në vizita të ndara zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Metju Palmer, dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak. Vizitat janë vazhdë e përpjekjeve për t’i dhënë një shtysë rifillimit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Takimin me Palmerin, krerët e dy partive opozitare, PDK e LDK, Enver Hoxhaj dhe Lumir Abdixhiku, e shfrytëzuan për të kërkuar një përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pritshmëria e tyre është që ky proces të përfundojnë me njohje të ndërsjellë.
Ndërkohë, gjatë vizitës së tij dyditore, Lajçak do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin, Albin Kurti, dhe zyrtarë tjerë. Si vizita e tij, ashtu dhe ajo e Palmerit, duket se synojnë përgatitjen e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që mund të ndodhë diku nga mesi i muajit qershor.
