Maqedoni
“Vetërregullimi mediatik - pandemia”, panelistët: Duhet mbështetur vetërregullimi
31.05.2021 16:55
Gazetarët dhe mediat janë përballur me sfida të jashtëzakonshme gjatë periudhës së pandemisë duke rrezikuar kështu edhe sigurinë personale....

Gazetarët dhe mediat janë përballur me sfida të jashtëzakonshme gjatë periudhës së pandemisë duke rrezikuar kështu edhe sigurinë personale. Në krizë shëndetësore dezinformimi mund të përhapet shumë shpejtë e që mund të prodhojë diskriminim për grupe të caktuara, tha Ilona Kazarjan, shefe e Departamentit për komunikime dhe marrëdhënie me mediat e Misionit të OSBE-së në Shkup gjatë konferencës “Vetrregullimi mediatik - çfarë solli pandemia?”. Sipas saj një hulumtim i fundit ka treguar se pikërisht dezinformimi rrënon kredibilitetin e vetë mediave.
“Hulumtimet e fundit të Institutit maqedonas për media të zbatuar nëpërmjet anketimit të opinionit për informimin nga ana e mediave gjatë pandemisë Covid-19 tregon se rreth 39,7% të banorëve në vend beson se dezinformimi dhe të ashtuquajturat lajme të rreme seriozisht e rrënojnë kredibilitetin e mediave duke vënë në dukje on-line mediat dhe rrjetet sociale si shënjestër më të lehtë.”,- tha përfaqësuesja e OSBE-së, Ilona Kazarjan.
Vetërregullimi duhet mbështetur fuqishëm me qëndrim të prerë nga Këshilli për etikë në media.
“Vetërregullimi si proces veçanërisht në pjesën e on-line mediave që i theksuam si shkelësit kryesorë të standardeve mediatike është diçka që duhet të ketë mbështetje të fuqishme. Ne gjatë këtij viti kemi përgatitur udhëzimet për informim etik.”,- u shpreh kryetarja e KEMM, Katarina Sinadinovska.
“Jo vetëm gazetarët dhe redaktorët por në radhë të parë pronarët dhe ata që udhëheqin mediat duhet të jenë më racional në raport me mbështetjen e vetërregullimit si proces, si mekanizëm për të pasur gazetarë të vërtetë, të kemi lajme të cilat do të jenë objektive, të mos përzihen lajmet me komentet përkatësisht faktet me qëndrimet dhe në një mënyrë të krijojmë ambient mediatik që të dijë të përballet edhe me dukurinë siç kishim virusin Covid-19.”,- theksoi nënkryetari i KEMM, Sefer Tahiri.
Gjatë vitit të fundit ka pasur rritje të dukshme të ankesave, tha Mirçe Adamçeski, nga Komisioni i Ankesave pranë Komisionit në Këshillin për Etikë në Media. Sipas tij, 1/3 ankesave kishin të bëjnë me informimin rreth pandemisë. Konferencën Këshilli për Etikë në Media, e mbajti në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup.
NAIM RAMADANI
