1 Qershori - Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve
1 qershori festohet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve...

1 qershori festohet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, në nder të Konferencës Botërore të Mirëqenies së Fëmijëve që u mbajt në Gjenevë, në vitin 1925.
Fillimisht një pjesë e vendeve të botës e festonte ditën e fëmijëve më 20 nëntor, teksa vendet e dikurshme të ish bllokut lindor më 1 qershor. E gjitha filloi kur konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi fëmijët jetimë kinezë në festivalin e “Anijes së Dragoit” dhe dy vjet më vonë, 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën. Vendet që e festonin më herët Ditën e Fëmijëve më 20 nëntor e bënin këtë në përkujtim të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve të miratuar nga OKB më 20 nëntor 1959.
Tani shumë shtete e kanë pranuar 1 qershorin si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë evente të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirqenies së tyre. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët shprehen lirshëm për të thëne të drejtat e tyre dhe në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre realizohet nëpërmjet lojërave dhe festave. Kjo ditë është një ditë vetëdijësimi se të gjithë fëmijët kanë të drejta të barabarta për të jetuar të lumtur.
