Sindikatat e UKIM me letër Kuvendit, negociata ose detyrohemi të hyjmë në grevë

01.06.2021 10:44

Unioni i Sindikatave në Universitetin “Kirili dhe Metodi”...

Unioni i Sindikatave në Universitetin “Kirili dhe Metodi”, kërcënojnë se nëse brenda 7 ditëve, nuk marrin përgjigje me afate konkrete për nisjen e  negociatave, do të detyrohen të hyjnë në grevë.

Në një letër të hapur që Unioni  e Sindikatave të UKIM i drejtoi më 27 maj Kuvendit, thuhet se,  nëse nuk marrin një përgjigje me shkrim brenda shtatë ditësh për të filluar negociatat kolektive, do të detyrohen të hyjnë në grevë për të kërkuar realizimin e të drejtave të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji.

Ata thonë se vitin e kaluar më 11 nëntor,  paraqitën kërkesë në Parlament, si themelues i universitetit më të vjetër dhe më të madh në vend, për të filluar negociatat kolektive dhe për të nënshkruar marrëveshjen kolektive në nivelin e punëdhënësit.

Por, siç thuhet, deri më sot Sindikata nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Kuvendi.

"Sipas të gjithë rregullativës ligjore, ne i plotësojmë të gjitha kushtet si sindikatë përfaqësuese e UKIM", thuhet në letrën drejtuar Kuvendit.