Palmer dhe Lajçak në Kosovë, përgatisin takimin mes Kurtit dhe Vuçiçit

01.06.2021 13:19

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer...

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dhe i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, inkurajuan vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Ata e shprehën qartë se vizita në Prishtinë ka si qëllim pikërisht përgatitjen e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Lajçak shprehet optimist se ky vit do të jetë vit i sukseseve për Ballkanin, sepse BE-ja po investon shumë në stabilitetin e rajonit dhe në këtë qëllim kanë bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të.
 
“Qëllimi parësor i kësaj vizite, ndryshe nga vizitat e mëhershme, është organizimi i takimit të parë të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç. Ne kemi pasur takime me të gjithë përfaqësuesit më të lartë të shtetit kosovarë dhe ato takime ishin të frytshme, të cilat na japin motiv shtesë për të organizuar këtë takim të parë në këtë nivel. Arsyeja pse jam këtu është të marr pyetje për cilësinë e bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe SHBA-ve, dhe unë çdoherë  them se ky bashkëpunim është i shkëlqyeshëm.”,- tha emisari special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
 
Palmer–Lajçak: Kompromisi varet nga vullneti i dy vendeve
 
Palmer edhe një herë ka bërë të ditur se pritshmëria e Uashingtonit zyrtar është njohja reciproke, me çka do të mbyllet një plagë e madhe e Ballkanit Perëndimor.
 
“SHBA e mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi. Dialogu është rruga për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. SHBA nuk është palë në procesin e dialogut, por ne jemi partner në këtë proces, jemi të përfshirë në mënyrë aktive duke punuar edhe me Serbinë edhe Kosovës, por edhe me ekipin e z. Lajçakut në mbështetje të arritjes së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Kompromisi nuk varet nga SHBA dhe BE, por nga vet palët e përfshirë në dialog. SHBA mbështet fuqishëm qëllimin e integrimit evropian edhe euroatlantik të tërë Ballkanit Perëndimor.”,- theksoi përfaqësuesi special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
 
Lajçak dhe Palmer potencuan se çështjet e pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor duhet të zgjidhen përmes rrugës së dialogut dhe ky rajon duhet të shndërrohet në rajon të paqes dhe prosperitetit.  

FITIM KRYEZIU