Akuzat e Mickovskit për Qendrën Klinike, Filipçe: Projektet as që mund të krahasohen

01.06.2021 15:00

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe....

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, mohon akuzat e kreut të opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, se Qendra Klinike në Shkup do të kushtojë katërfish më shumë nga qendra klinike që po ndërtohet në Serbi.

Mickovski akuzoi dje qeverinë se teksa Serbia ndërton një qendër klinike identike për 125 milion euro, vendi ynë për të njëjtën ndërtesë planifikon 500 milion euro. Filipçe thotë se projektet as që mund të krahasohen.

Ai i bën thirrje VMRO-DPMNE-së të pranojnë debatin në parlament për ndërtimin e qendrës së re klinike.

“Ne kemi ofruar që opozita të jetë ajo që do ta udhëhiqte projektin, por jam shumë i bindur se qytetarët duhet të kenë një qendër të re klinike. Por, kjo arrihet vetëm nëse ka koncensus në mes partive politike, por opozita jonë vetëm të akuzon pa argument. Ne kemi bërë thirrje të vinë në Kuvend dhe t’i nxjerrim të gjitha detajet e projektit dhe nëse kanë argument të qëndrueshme ne do t’i marrin parasysh. VMRO-DPMNE bën krahasimin me një ndërtesë në Serbi, por ajo është vetëm një ndërtesë e ndërtuar para 20 viteve, e tani vetëm po rinovohet.  Tek ne do të ndërtohet  e gjitha nga fillimi. Përveç ndërtimin të Klinikës së re gjithçka tjetër është zgjidhje parciale, sepse repartet tona janë të ndara njëra prej tjetrës dhe pacientët barten përmes rrugëve nga njëra në ndërtesën tjetër. Nëse VMRO ka dyshimet e saj në çmimin e ndërtimit, hajde t’i shohim në planin ideor dhe në studimin e fizibilitetit se sa do të na kushtojë dhe t’i konsultojmë ekspertët sa është çmimi real i tregut të ndërtimit.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.