Maqedoni

Mickovski: Duam zgjedhje, punojmë për shumicë parlamentare

01.06.2021 15:43

Kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, sërish ka kërkuar largimin e qeverisë..

Kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, sërish ka kërkuar largimin e qeverisë dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai në një konferencë për media numëroi mossuksesin e projekteve të qeverisë për katër vitet e fundit në më shumë fusha teksa paralajmëroi se partia e tij sërish po vazhdon me përpjekjet për të krijuar shumicë të re parlamentare por pa zbuluar detaje të reja.
 
“Ne kërkojmë çdo ditë dorëheqje të kësaj qeverie dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme sa më shpejtë të jetë e mundur. Në këtë moment nuk do të kisha dashur të shpalos detaje, sepse po punohet në atë shumicë të re parlamentare. Në momentin kur do t’i kemi ato 61 deputetë do ta njoftojmë opinionin, por se a është përfshirë një pjesë e grupit parlamentar të LSDM-së në ato bisedime, po është e përfshirë.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Ligji për Shtetësi, Mickovski: Do të dorëzojmë amendamente
 
Ndërkohë, Mickoski paralajmëroi amendamente shtesë në lidhje me propozim Ligjin për Shtetësi.
 
“Deputetët i kanë marrë amendamentet në mënyrë zyrtare nën suaza të procedurave parlamentare, i kemi parë dhe në bazë të marrëveshjes mes Zoran Zaevit dhe Aleancës dhe Alternativës, ne do të propozojmë amendamente tona, që mendojmë që duhet të jenë në këtë ligj.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Ai shtoi se në lidhje me ligjin për shtetësi nuk është realizuar takim me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev. Sipas tij, askush nuk i ka informuar se çfarë përmban marrëveshja mes Zaevit dhe opozitës shqiptare.
 
NAIM RAMADANI