Maqedoni

Lehtësimi i masave anti-Covid, qytetarët: Pa maska, merret frymë më lirë

01.06.2021 16:20

Prej sot, qytetarët do të mund të lëvizin pa maska në ambient të hapur..

  1.  
Prej sot, qytetarët do të mund të lëvizin pa maska në ambient të hapur, por mbajtja e maskës do të vijojë të jetë e detyrueshme në ambiente të mbyllura.  
Këtë vendim e mirëpritën qytetarët të cilët tani e tutje pos që do të mund lëvizin më lirshëm, atyre do t’u lejohet të mblidhen për dasma, festime dhe festa në ambient të hapur me kusht që këto festa të mos kalojnë shifrën prej 100 personave.
 
“Mirë që po heqim maskat kështu në të hapur. Padyshim që kemi mirëpritur këtë lehtësim. Më lehtë merret frymë.”,- tha një qytetar.
 
“Është mirë tani që nuk do të mbajmë maska. Mendoj që mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura ka qenë një vendim jo i mirë, ndërsa në ambiente të mbyllura padyshim që duhet të mbahet.”,- theksoi një qytetar. 
 
“Me rritjen e temperaturave edhe virusi njëkohësisht e humb virulencën e  tij, ndërsa në ambiente të mbyllura besoj se duhet të mbahen maskat.”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Mirë është që nuk mbajmë tani maskat në të hapur, besoj se për disa muaj do të mund të bëjmë lirisht edhe dasma, në kafene të shkojmë lirshëm e kështu me radhë.”,- deklaroi një qytetar. 
 
Rekomandimet e reja, OPH: Do të shkaktojnë kaos në gastronomi
 
Teksa qytetarët janë të lumtur për heqjen e maskave të paktën në rrugë,  pronarët e lokaleve fërkojnë duart që do u lejohen më shumë klientë. Të kontaktuar nga TVM2 ata shprehen se akoma nuk janë njoftuar zyrtarisht se cilat do të jenë protokollet për organizimin e mbrëmjeve. Oda e Pavarur Hotelerike konsideron ndërkohë se protokollet e reja për organizimin e festave dhe dasmave, do të shkaktojnë kaos në punën e tyre. Ankohen se askush nuk i ka këshilluar gjatë miratimit të protokolleve. Ata kërkojnë të lejohet performanca live e artistëve dhe më shumë se 6 persona në tryezë gjatë dasmave, nëse janë nga e njëjta familje. Me lehtësimin e masave do të përfitojnë edhe futbolldashësit.  Prania e publikut në garat sportive në ambient të hapur do të lejohet deri në 30 për qind të kapacitetit.
 
ZEKIRJA MEXHITI