Botë

Zyra e Prokurorit të BE-së fillon punën me fokus fondet e COVID-19

01.06.2021 19:01

Prokuroria e re e BE-së e themeluar për të hetuar keqpërdorimet e buxhetit të BE-së, ka nisur një operacion...

Prokuroria e re e BE-së e themeluar për të hetuar keqpërdorimet e buxhetit të BE-së, ka nisur një operacion, që sipas zyrtarëve, në fokus kryesor do të ketë hetimet për keqpërdorime të fondeve për rimëkëmbje nga pandemia e COVID-19.

 
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), e udhëhequr nga ish-shefja kundër korrupsionit në Rumani, Laura Koevesi, është zyra e parë e pavarur e BE-së që ka në kompetencë hetimet dhe ndjekjen penale të atyre që keqpërdorin buxhetin e BE-së.
 
Koevesi, përshëndeti nisjen e punës së EPPO si “një moment historik”.
 
“Ne kemi në shënjestër krimin ekonomik dhe financiar, pasi ky është kërcënim i zakonshëm për çdo shoqëri demokratike”, tha ajo në një konferencë për media në Luksemburg, ku është vendosur selia e EPPO-s.
 
Në kohën kur ka punuar në Rumani, Koesevi kishte paditur një numër rekord të politikanëve, ministra dhe zyrtarë tjerë të lartë për ryshfet.
 
Më 2018 ajo u shkarkua nga qeveria e majtë e Rumanisë me pretendimet se ka keqpërdorur pushtetin.
 
Kritikët thonë se shkarkimi i saj u bë për shkak të luftës së saj kundër korrupsionit.
 
EPPO përbëhet nga një ekip prokurorësh nga të 22 vendet pjesëmarrëse.
 
Anëtarët e BE-së, Suedia, Hungaria, Polonia, Irlanda dhe Danimarka nuk iu bashkuan projektit. Ky mekanizëm u krijua pas kritikave se ka pasur keqpërdorime të buxhetit të BE-së dhe sipas Andres Ritter, përfaqësuesi gjerman në EPPO, ato arrijnë shifrën rreth 500 milionë euro në vit.
 
Zyra ekzistuese e BE-së kundër korrupsionit – OLAF- është e dobët, pasi ajo vetëm mund t’iu rekomandojë shteteve ndjekjen e dyshimeve për vepra penale, por jo edhe t’i detyrojë ato. Ndërsa EPPO e ka fuqinë ligjore të dërgojë çështje të profilit të lartë drejtpërdrejt në gjykatat kombëtare.
 
Ekziston një “rrezik i lartë” i keqpërdorimit me fondet e rimëkëmbjes, i tha Koevesi agjencisë spanjolle të lajmeve EFE më 30 maj./REL