Maqedoni
Sindikata e UKIM-it ultimatum ndaj Kuvendit, marrëveshje kolektive, në të kundërtën grevë
01.06.2021 16:48
Sindikata e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” paralajmëron grevë, nëse për një javë nuk marrin përgjigje me shkrim nga Kuvendi....

Sindikata e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” paralajmëron grevë, nëse për një javë nuk marrin përgjigje me shkrim nga Kuvendi për fillimin e negociatave kolektive. Nëse neglizhohet kjo çështje edhe më tej, dhe nuk arrihet marrëveshje kolektive për shumë çështje të pazgjidhura në arsimin sipëror do të ketë grevë, janë të prerë nga Sindikata e UKIM.
“Nëse kërkesat tona nuk realizohen edhe më tej, do të ndodh që të mos mbahen provimet, të mos punojnë shërbimet studentore, sepse universiteti më i vjetër e meriton të ketë marrëveshje kolektive, si shprehje të autonomisë së Universitetit të garantuar me Kushtetutë.”,- tha kryetari i Sindikatës së UKIM, Angel Ristov.
Edhe rritja prej 10 për qind në arsimin sipëror është e pamjaftueshme, thonë nga kjo sindikatë, nga ku vlerësojnë se pagat e profesorëve universitar janë tejet të ulëta krahasuar ne veprimtaritë tjera.
“Kjo përqindje konsiderojmë se është e pamjaftueshme dhe prandaj kërkojmë page të dinjitetshme, e cila parashihet të arrihet në negociatat kolektive të cilat kërkojmë t’i fillojmë me organet kompetente.”,- theksoi kryetari i Sindikata pranë UKIM, Angel Ristov.
Kërkesa e Sindikatës për fillimin e negociatave daton nga 11 nëntori i vitit të kaluar, por për këtë çështje nga Kuvendi ende nuk ka përgjigje.
FLUTURA LATIFI
