Institucionet ndërkombëtare ftojnë vendet e pasura të sigurojnë qasje të barabartë në vaksina

02.06.2021 11:19

Krerët e katër institucioneve kryesore...

Krerët e katër institucioneve kryesore ndërkombëtare u bënë thirrje udhëheqësve botërorë që të investojnë miliarda dollarë, për të siguruar edhe qasjen e vendeve në zhvillim në vaksinat kundër koronavirusit.

Në një opinion të publikuar në gazetën Washington Post, udhëheqësit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatës Botërore të Tregtisë thanë se qasja jo e barabartë midis vendeve të pasura dhe vendeve në zhvillim, mund të çojë në shfaqjen e më shumë varianteve të koronavirusit, që kanë nxitur tashmë shpërthime vdekjeprurëse në botën në zhvillim. 

“Shpërndarja e pabarabartë e vaksinave po lë miliona njerëz të cenueshëm nga virusi dhe bën që të shfaqen variante vdekjeprurëse”, thanë katër udhëheqësit. Ata gjithashtu i bënë thirrje grupit të vendeve më të industrializuara G7, që të financojë një program prej 50 miliardë dollarësh, për të rritur qasjen e vendeve të varfra në vaksina.

Një takim i nivelit të lartë të G7-së do të mbahet këtë muaj në Mbretërinë e Bashkuar. Injeksionet e parave “do të na ndihmonin të rrisim diagnostikimin, trajtimet, prodhimet e oksigjenit, pajisjeve mjekësore dhe vaksinave”, u tha gazetarëve shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.