Eurointegrimet, Osmani: Bullgaria të konkretizojë udhërrëfyesin
Ministria e Jashtme kërkon nga Bullgaria...

Ministria e Jashtme kërkon nga Bullgaria që ta konkretizoj përmbajtjen e udhërrëfyesit si garanci monitoruese të cilën e kërkojnë për zbatimin e marrëveshjes Maqedoni – Bullgari për zhbllokimin e procesit eurointegrues të vendit. Ministri i jashtëm Bujar Osmani në Argument në TVM2, tha se udhërrëfyesi duhet të qartësohet brenda 20 ditëve, para samitit të qershorit, kur shanset për marrjen e një vendimi për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare janë më të mëdha. Osmani nuk heq dorë nga kërkesa që udhërrëfyesi të mbetet jashtë kornizës negociuese.
“Tema ende të hapura janë përmbajtja e udhërrëfyesit, pozicioni i udhërrëfyesit dhe mandati politik në Bullgari për të pasur një zgjidhje tani para qershorit. Ne do të tentojmë këto 20 ditë të bisedojmë për këto çështje. Jemi të gatshëm për udhërrëfyes, edhe pse mendojmë që marrëveshja mjaftueshëm është e qartë dhe ne nuk i ikim obligimeve, por ja meqë Bullgaria kërkon garanci shtesë është vend anëtar, ne jemi të gatshëm të bëjmë një udhërrëfyes i cili do të jetë konkretizim i hapave për implementim më të parashikueshëm të marrëveshjeve.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Osmani: Qeveria teknike bullgare mund të zhbllokojë procesin
Arsyeja se Bullgaria nuk është në pozicion tani të vendosë në krye me qeveri teknike, sipas Osmanit nuk është e qëndrueshme duke pasur parasysh praktikat e marrjes së vendimeve të fqinjin lindor gjatë anëtarësimit në Aleancë.
“Qeveria nuk është komision zgjedhor që të merret vetëm me ekskluzivisht vetëm me organizimin e zgjedhjeve, por ka edhe mandate për të marrë edhe vendime, p.sh. unë rastësisht e pash një vendim që kur Bullgaria ka bërë aplikimin për anëtarësim në NATO, e ka bërë pikërisht qeveria teknike aso kohe, që d.m.th. se ka praktikë që edhe qeveritë teknike të marrin vendime të tilla politike. Në rastin tonë, nga njëra perspektivë është edhe më e lehtë për shkak se vendim politik për fillim të bisedimeve ne kemi që nga marsi i vitit të kaluar.”,- theksoi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit zgjidhja më e mirë e kontesteve historike është komisioni i historianëve, të cilit duhet t’i lihet kohë që pa presion të punojë në zbutjen e ndasive. Nëse digjet edhe shansi i qershorit për të hapur kaptinën europiane të vendit, sipas Osmanit përgjegjësinë do ta mbart pala bullgare e cila bllokon procesin. (Meral Ismaili, TVM2)
