Maqedoni
Protokollet e reja për dasmat: Matje temperature, ndalim përqafimi e kërcimi
02.06.2021 15:54
Sipas protokollit të ri, dasmorëve do t’u matet temperatura në hyrje...

Sipas protokollit të ri, dasmorëve do t’u matet temperatura në hyrje, organizatori i dasmës duhet të kontrollojë nëse mysafirët përqafohen e nëse e bëjnë një gjë të tillë, duhet t’i paralajmërojë se është e ndaluar. Dasmat do të mund të organizohen vetëm në ambiente të hapura. Ndërsa nëse dikush dëshiron të kërcejë, mund ta bëjë vetëm nëse 2 metra larg tij nuk ka persona të tjerë.
“Në hyrje të vendoset dezinfektues dhe të matet temperatura. Hapësirat në tarracat verore duhet të jenë të hapura në tre anët. Ndalohet përshëndetja me dhënien e dorës, përqafim ose kontakt tjetër fizik me mysafirët. Muzika, gjegjësisht angazhimi i artistëve të estradës është i lejuar vetëm gjatë organizimit të dasmave, të cilët duhet të jenë në largësi prej së paku 5 metrave nga tavolina më e afërt dhe nuk guxojnë të lëvizin dhe këndojnë në mesin e mysafirëve. Lejohet kërcimi në hapësirë të siguruar prej 4 metra katror për person, duke respektuar distancën e rekomanduar.”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Sipas rekomandimeve të reja, vallëzimi do të lejohet vetëm për çiftin e ri, të tjerët në këtë periudhë le t’i harrojnë vallëzimet romantike me partnerët apo kapjen përdore në valle.
Pronarët e lokaleve të dasmave: Me 100 persona nuk mbulojmë dot as harxhimet
Por sa janë të kënaqur pronarët e salloneve të dasmave dhe a kanë llogari për të punuar në këtë ritëm. Nga ky sektor nuk shprehen aspak të kënaqur me masat e reja. Ekrem Memishi, pronar i një salloni dasmash në Shkup për TVM2 thotë se është e pakuptimtë që me një anë lejohet që restorantet të punojnë me 50% kapacitet, e në anën tjetër kufizojnë numrin deri më 100 persona. Sipas tij me protokollet e shumta, shpenzimet janë të papërballueshme për sektorin e gastronomisë.
“Kjo sallë është 100 metër katror, ka kapacitet për gati deri më 500 persona, pot ë ishte 50% do të ishte 250 persona. Me 100 persona, unë nuk kam llogari t’i lëshoj klimat dhe dritat, nuk kam llogari të punoj. Ky objekt është i madh, harxhimi është i njëjtë si për 100 si për 300. Mund të them se është mirë që të mos punonim fare, se kështu.”,- tha pronari i sallonit të dasmave, Ekrem Memishi.
Sipas protokollit, në dasmë mund të këndojnë vetëm artistë të estradës që janë të licencuar. Pas përfundimit të dasmës, e detyrueshme është të bëhet pastrim mekanik dhe dezinfektim i objektit.
ERSAN PAJAZITI
