Botë
Pandemia, 7 shtete aprovojnë sistemin e certifikatave Covid
02.06.2021 18:37
Greqia, Gjermania Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Kroacia dhe Polonia kanë prezantuar një sistem certifikatash vaksinimi për udhëtarët....

Greqia, Gjermania Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Kroacia dhe Polonia kanë prezantuar një sistem certifikatash vaksinimi për udhëtarët, disa javë përpara fillimit të këtij programi më 1 korrik në bllokun me 27 vende të BE-së. Greqia, e cila mbështetet shumë tek turizmi, ka kërkuar me ngulm përdorimin e certifikatës që u jepen personave që janë plotësisht të vaksinuar, atyre që e kanë pasur virusin dhe kanë antitrupa, edhe të tjerëve që kanë bërë një test brenda 72 orëve të fundit. Dokumentet do të jenë në formë dixhitale dhe në letër, në gjuhën kombëtare dhe në anglisht dhe të vlefshme në të gjitha vendet e bllokut.
Covid-19, vaksina të reja, vazhdon imunizimi në botë
Teksa vendet këmbëngulin për certifikata sa më shpejt, vazhdon fuqishëm procesi i imunizimit. OBSH miratoi përdorimin emergjent të vaksinës së kompanisë Sinovac, CoronaVac Covid-19, duke garantuar që plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit. OBSH rekomandon se vaksina duhet të përdoret tek të rriturit mbi 18 vjeç dhe të injektohet në dy doza me 2-4 javë diferencë nga njëra-tjetra. Vaksina “CoronaVac” është vaksina e dytë kineze që aprovohet nga OBSH 9, pasi në 7 maj mori aprovimin vaksina tjetër e prodhuar në Kinë, “Sinopharm”. Edhe Rusia aprovoi vaksinën e tretë anti-Covid, që sipas tyre, është më shumë se 80% efektive.
Një lajm i keq vjen nga Izraeli që llogaritet si vendi më i imunizuar në botë. Atje janë identifikuar një sërë rastesh inflamacioni në muskujt e zemrës tek njerëzit e vaksinuar me Pfizer, kryesisht tek te rinjtë. Pfizer ka njoftuar se ka vënë re një rritje të incidencës të infarkt miokardi tek personat që janë vaksinuar. Në Izrael, nga dhjetori i 2020 deri në maj 2021, janë shënuar 275 raste të miokardit midis më shumë se 5 milion njerëzve të vaksinuar. Vendi ka shtyrë vaksinimin e fëmijëve 12 deri në 15 vjeç, në pritje të raportit të ministrisë. SHBA ndërkohë planifikojnë që në dy javët e ardhshme të shpërndajnë 80 milionë vaksina anti-covid, për të ndihmuar disa nga vendet e varfra në përballje me pandeminë.
BELINDA KOKA ADEMI
