SHBA: Azilkërkuesit nuk do të presin më në Meksikë

03.06.2021 12:45

Administrata e Presidentit Biden....

Administrata e Presidentit Biden anuloi zyrtarisht politikën e imigracionit të vënë në zbatim nga administrata Trump që i detyronte azil-kërkuesit të prisnin në Meksikë ndërkohë që gjykata amerikane e imigracionit shqyrtonte rastin e tyre.

Një njoftim nga Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas bën të ditur përfundimin e “Protokolleve për Mbrojtjen e Migrantëve” që ka kthyer 70,000 azil-kërkues në Meksikë që nga janari 2019 deri kur u pezullua nga Presidenti Biden në ditën e parë kur erdhi në detyrë.

Ky ishte një vendim i pritshëm, pasi gjatë fushatës presidenciale zoti Biden e pat premtuar ndaljen e kësaj praktike, megjithëse kishte lënë një mundësi hapur për ta rishikuar para anulimit të plotë.

Republikanët shprehën kritika ndaj vendimit të administratës duke e cilësuar situatën në kufirin jugor amerikan si serioze, me paralajmërimin se demokratët do të paguajnë kosto politike.