Filipçe: Pas 15 qershorit mund të hiqet ora policore

03.06.2021 15:03

Numri i infektimeve të reja....

Numri i infektimeve të reja dhe i të hospitalizuarve në vend po bie vazhdimisht. Pas një kohe shumë të gjatë, për herë të parë në vend nuk kishte pacientë të hospitalizuar ne klinikat Covid në Shkup.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se në qoftë se vazhdon ky ritëm i rënieve nuk përjashtohet lehtësim i masave, si heqja e orës policore.

“Mbledhja e ardhshme e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse do të jetë para 15 qershorit, e deri atëherë do të bisedojmë me organizatorët e ngjarjeve të ndryshme të cilët planifikohen të organizohen gjatë muajve në vijim që të sillen protokollet adekuate. Në qoftë se vazhdon ky trend i rënies, pas 15 qershorit mund të priten lehtësime plotësuese të masave restriktive.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Gjatë javës mund të vijnë vaksinat “Sinovac”

Ndërkohë, që vaksinimi po vazhdon nëpër punkte, vendi ende po pret vaksinat “Sinovac” nga Kina dhe “Sputnik V” nga Rusia. Filipçe pret që brenda javës të arrijnë vaksinat kineze.

“Tani i futëm në sistem 10 mijë vaksinat të cilat erdhën gjatë të hënës, vaksina të “Fajzer”. Megjithatë presim shpejtim të procesit me ardhjen e vaksinave të “Sinovak”. Në mëngjes na erdhi një informacion se mund të presim që porosia të vjen në shtatë ditët e ardhshme”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Deri të mërkurën gjithsej 121.342 persona kanë pranuar dy dozat e vaksinës, kurse gjithsej janë dhënë 362.710 doza të vaksinave. Numri i personave që kanë shprehur interes për vaksinim  përmes ueb-platformës vakcinacija.mk është 437.339 qytetarë. (Ersan Pajaziti, TVM2)