Modeli zgjedhor, Nuhiu: Qytetarët të votojnë me lista të hapura

03.06.2021 15:32

Modeli zgjedhor me lista të hapura është ideal...

Modeli zgjedhor me lista të hapura është ideal, i cili i nevojitet Maqedonisë së Veriut. Nga analizat e bëra politologu, Qani Nuhiu, thotë se vetëm në këtë mënyrë qytetarët me votën e tyre mund të ndikojnë direkt në zgjedhjen e kandidatit të preferuar dhe mos t’i lihet partisë të vendosë se kush do të kryesojnë listat dhe të dalin fitues të zgjedhjeve.

“Përfaqësimi politik të reflektojë realitetin etnik edhe politik të shtetit, prandaj si variant më optimale që është në shumë shtete të Unionit Europian që të zbatohet, është sistemi me lista të hapura, pra krahas partisë qytetari të mund të votojë edhe kandidatin e preferuar; edhe ndarja të bëhet përllogaritja më profesionale edhe të shihet në sa njësi, por që do të jetë pjesë e debatit politik me të gjitha partitë politike edhe me ekspertët.”,- tha politologu, Qani Nuhiu.

Musliu: Listat e hapura jo në kombinim me 1 njësi

Në të njëjtën vijë edhe analisti politik Albert Musliu, i cili përkrah listat e hapura por jo në kombinacion me një njësi zgjedhore. Sipas tij, mund të shkohet në zgjidhje mesatare prej tre njësive.

“Për zgjedhjet lokale nuk e shoh pse mos të shkohet me listat e hapura, ku qytetarët duhet të jenë më të afërt me këshilltarët të cilët vendosin për politikat lokale. Ideja që kryetari të zgjidhet në një raund nuk e di ku e ka bekgraundin, ajo pak do ta komplikojë koalicionimin e partive politike. Për mua teknikisht është pak e rëndë të bëhet një njësi zgjedhore me lista të hapura, se çdo listë e hapur duhet të ketë 120 emra, ashtu që nuk e di sa do të jetë ajo e lehtë për qytetarët të gjinden në të gjithë atë proces dhe të mos bëjnë gabime. Mendoj se subjektet politike shqiptare do të insistojnë në një ndarje pak më të vogël por jo në një njësi zgjedhore, idetë janë në tre njësi zgjedhore. Varësisht prej atyre njësive zgjedhore mund të maksimizohen edhe votat shqiptare.”,- theksoi analisti, Albert Musliu.

Me ndryshimin e modelit zgjedhor do të ndryshojë edhe rezultati zgjedhor. Analistët vlerësojnë se njëkohësisht do të duhet të ndryshohet edhe mënyra e votimit me postë ose votim edhe para kohe sikurse në shtetet perëndimore. (Meral Ismaili, TVM2)