Ndryshimet në Ligjin për Urbanizëm, Boçvarski: Jemi të hapur për debat, nuk duam bllokim
Me pesë vota "pro", asnjë "kundër" dhe asnjë “abstenim”...

Me pesë vota "pro", asnjë "kundër" dhe asnjë “abstenim”, propozim ndryshimet në Ligjin për Planifikimin Urbanistik u hoqën nga rendi i ditës në Komisionin Kuvendor për Transport dhe Lidhje. Ministri i transportit, Bllagoja Boçvarski, tha se debat do të lejojë, por në asnjë mënyrë bllokimin të ligjit.
“Nuk e di pse është krijuar fama në publik, të gjithë jemi kundër intriguesve në urbanizëm. Nenin 35 e kemi diskutuar edhe me organizatat qytetare, por edhe me deputetët dhe jemi dakorduar që duhet të qartësohet. Dhe nuk do të lejohet situatë ku PDU dhe PNU nuk janë të harmonizuar. Pranoj debat por jo edhe bllokadë.”,- tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoja Boçvarski.
Ndryshimet në Ligjin për Urbanizëm, Opozita: Të tërhiqet dhe të hapet debat
Nga “E majta” përsëritën qëndrimin se ky ligj është kontrovers dhe në dobi të mafias urbane. Paralajmëruan mijëra amendamente për bllokim të kësaj zgjidhje ligjore.
“Pjesa më e madhe e ekspertëve dyshon se këtu bëhet fjalë për lehtësim të legalizimit të parcelës në Holiday In, ku problemi kryesor atje është plani detal urbanistik dhe plani ndërtimor urbanistik dhe mes tjerash më e rëndësishmja në këtë ligj është neni 35, që është i ndryshuar e që tani lejon që ata këto dy plane të mos harmanizohen.”,- theksoi Borsisllav Kërmov nga “E Majta”.
VMRO dhe RDM (Ripërtëritja demokratike e Maqedonisë) kërkuan që ndryshimet ligjore të mos miratohen me procedurë të shkurtuar, ndërsa kërkuan edhe debat më të gjerë ku do të përfshihen ekspertë të fushës.
“Ky ligj duhet të tërhiqet, më e pakta të ripërpunohet, të kyçet opinioni adekuat dhe së paku të lëshohet në procedurë të rregullt.”,- tha Ana Leshkovska nga VMRO-DPMNE.
“Pajtohem që duhet të ketë debat publik duke përfshirë edhe opinionin e ekspertëve por edhe të organizatave qytetare dhe e gjitha kjo i jep më shumë kredibilitet të gjithë procesit.”,- theksoi Maja Moraçnin nga RDM.
Boçvarski më tej tha se kërkesë për ndryshime në Ligjin për Urbanizmin kanë bërë edhe krerë të komunave, ndërsa me këto ndryshime qëllimi është të ndalohet keqpërdorimi nga ana e shtëpive për planifikim. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
