Dialogu Kosovë- Serbi, Palmer: Marrëveshja mund të arrihet këtë vit
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor...

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer optimist se Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje gjatë këtij viti.
Në një intervistë për median serbe ‘Blic’, Palmer ka inkurajuar palët që të përfshihen aktivisht në dialog dhe të diskutojnë të gjitha çështjet mes dy vendeve.
“Kurti dhe Vuçiq janë në pozicione, të cilat u mundësojnë që të përfshihen në dialog, të identifikojnë çështjet për të cilat mund të arrihet marrëveshje dhe ta çojnë të gjithë procesin përpara”, ka thënë Palmer.
Ai gjithsesi e ka të qartë se Kosova nuk është e gatshme që të negociojë për çështjen e ndryshimit të kufijve dhe territoreve.
“Mendoj se dy vendet kanë çështje shumë më produktive në të cilat mund të angazhohen aktualisht, siç është çështja e personave të zhdukur”, citohet të ketë thënë Palmer në intervistën për Blic. Ju kujtoi palëve se duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfshirë Asociacionin.
Megjithatë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka bërë të qartë të enjten se takimi në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Do të jetë për dialog të ardhshëm, por jo vazhdim i dialogut.
Ka qeveri të re të Republikës së Kosovës, e cila ka program qeverisës, tha Kurti një ditë më parë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ishte i prerë dje se nëse Kurti mendon se nuk do të flasë për asociacionin, atëherë s’ka pse të vijë në takim.
