Zgjedhjet lokale, Zaev: S’ka kandidat të përbashkët LSDM – BDI
LSDM dhe BDI s’do garojnë në zgjedhjet lokale....

LSDM dhe BDI s’do garojnë në zgjedhjet lokale me kandidat të përbashkët për kryetar të qytetit të Shkupit. Spekulimet për një opsion të tillë i hodhi poshtë kryeministri, Zoran Zaev.
Sipas tij, nuk është biseduar për bashkim të fuqive në zgjedhjet lokale në kryeqytet e as kompensim për kryeministrin shqiptarë. Zaev thotë se bëhet fjalë për modernizim të partisë së Ahmetit.
“Bëhet fjalë për modernizim të partnerit tonë të koalicionit dhe është logjike që për detajet të flasin vetë ata. Gjithsesi është në frymën e asaj që e bëjmë si qeveri, do t’i shihni detajet. Sikurse ne i prezantuam ndryshimet me evidentimin elektronik, përfaqësimin e barabartë të burrave dhe grave dhe përfshirje më të madhe të të rinjve në parti, ashtu edhe nga BDI më informuan për këtë ndryshim cilësor dhe të bukur. As që është biseduar për kandidat të përbashkët, ose kompensim për kryeministrin shqiptarë. Bëhet fjalë për platformë politike - perspektivë të së ardhmes.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Bashkimi Demokratik për Integrim: Të shtunën me risinë, festojmë 19 vjetorin
Ideja për kandidat të përbashkët përgënjeshtrohet edhe nga BDI edhe përkundër risisë së paralajmëruar e cila do të kumtohet të shtunën nga lideri i tyre Ahmeti. Kreu i integristëve nëpërmjet rrjeteve sociale do t’u drejtohet qytetarëve me rastin e 19 vjetorit të themelimit të partisë.
Ahmeti, më herët edhe personalisht ka paralajmëruar se platforma e re e partisë do të jetë diskutabile dhe do të shkaktojë debat të madh sikurse koncepti i kryeministrit të parë shqiptarë.
Ndërkohë, LSDM me të 8 qershor mbledh komitetin qendror dhe vendos për shefin e shtabit zgjedhor në nivel republikan. Vendimet për kryetar komuna dhe këshilltarë do t’i marrin kah fundi i gushtit. (Meral Ismaili, TVM2)
