Akuzat e VMRO-DPMNE-së, Zaev: Nuk ka marrëveshje të re me Bullgarinë

04.06.2021 16:37

Nuk ka marrëveshje të re me Bullgarinë....

Nuk ka marrëveshje të re me Bullgarinë përpos asaj për fqinjësi të mirë, përgjigjet i prerë kryeministri Zaev ndaj akuzave të VMRO-DPMNE - së se me Sofjen po bisedohet për kërkesa tjera bullgare.

Ai thotë se me fqinjin lindor po kërkohet formulim për kornizën negociuese dhe ripërsëriti se identiteti dhe gjuha maqedonase asnjëherë nuk do të jenë pjesë e bisedimeve. Kreu i ekzekutivit mban shpresat se në Samitin e qershorit apo të shtatorit BE do ta realizojë premtimin e dhënë ndaj vendit tonë.

“Nuk e pranoj deklaracionin, por gjithsesi Bullgaria ka të drejtën e vet. Jemi të njoftuar unë dhe qytetarët,  është publike. Besoj se vendimi që është dorëzuar, mbart përgjegjësi për të dyja palët dhe gëzohem dhe shpresoj në zgjidhje të mundshme pa i ngritur pritshmëritë sepse gjithsesi Bullgaria ka qeveri teknike, por ne duhet të punojmë. Më vjen mirë që ministrat tanë të jashtëm zhvillojnë komunikim ditor dhe javor, shkëmbejnë ide, me falënderim edhe për liderët evropian të cilët komunikojnë me ne, me autoritetet bullgare  me qëllim që të ndihmojnë.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE: Ka marrëveshje të fshehtë jashtë syve të opinionit

Por, VMRO-DPMNE akuzon sërish se përfaqësuesi special në Sofje Buçkovski dhe kryeministri Zaev po zhvillojnë negociata sekrete me Bullgarinë, gjithnjë në dëm të interesave nacionale maqedonase.

“Vlerësojmë se bisedimet që i udhëheqin Zaev në Shkup dhe Buçkovski në Sofje larg syve të opinionit janë në dëm të interesave nacionale  dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, për shkak se bisedohet për  etnogjenezën e një populli, për gjuhën maqedonase. Zaev dhe dueli i tij Buçkovski po bisedojnë për atë çka Zaev pati  paralajmëruar  në intervistën skandaloze para gjysmë viti se do të nënshkruajë aneks apo format tjetër garanci, që do të nën kuptonte pranimin  e pozicioneve anakronike  të cilat u votuan në deklaracionin e Parlamentit bullgar.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Sipas informatave të opozitës maqedonase, një pjesë e dokumentit  nga Parlamenti bullgar përfshin:  Kontestimin e gjenezës dhe veçorisë së gjuhës maqedonase, revidimin e historisë, periudhën e luftës antifashiste si dhe përvetësimin e figurave të historisë maqedonase. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)