Maqedoni

VMRO-DPMNE dhe ASH-Alternativa, reagime për lirimin e Rashkovskit

06.06.2021 18:08

VMRO DPMNE dhe koalicioni Ash-Alternativa kanë reaguar ndaj vendimit që ish sekretari i Qeverisë...

VMRO DPMNE dhe koalicioni Ash-Alternativa kanë reaguar ndaj vendimit që ish sekretari i Qeverisë, Dragi Rashkovski të lirohet në arrest shtëpiak. 
 
Nga VMRO-DPMNE thonë se Rashkovski është dërguar në shtëpi që mos të tregojë për bizneset e Zaevit dhe vëllait të tij, Vice Zaev. Nga kjo parti thonë se, qëndrimi i kryeministrit i cili tërë kohën pohon se Rashkovski ka punuar në mënyrë ligjore, paraqet presion të hapur ndaj gjyqësorit. 
 
“Zaevi guxoi të ndikojë ndaj procedurës sepse e din që Rashkovski është vasali i tij i drejtpërdrejtë në Qeveri. Çdo gjë që din Zaevi, në masë të madhe e din edhe Rashkovski. Gjyqësori dhe Prokuroria Publike nuk guxojnë të bien nën presionin e Zaevit. Rashkovski nuk guxon të ketë mundësi të ndikojë ndaj procedurës”, thonë nga VMRO. 
 
Ndërkohë nga ASH-Alternativa akuzojnë se Zaevi po bën presion ndaj organeve të ndjekjes. 
 
“Dragi Rashkovski po kthehet në shtëpi. Edhe një nga kriminelët kryesorë të Qeverisë, i cili u bë milioner me paratë e qytetarëve, pushonte në Meksikë dhe bleu apartamente dhe automjete luksoze, shpëtoi nga drejtësia politike e LSDM-së dhe BDI-së", thonë nga opozita shqiptare. 
 
Rashkovski ndiqet nga Prokuroria për Krimi të Organizuar dhe Korrupsion pasi si Sekretar i Përgjithshëm I Qeverisë për rreth 80,000 euro e bleu softuerin për ndëshkimin automatik të shkeljeve të trafikut, ndërsa është hapur një hetim i dytë kundër tij për një tender tjetër softuerësh, si dhe për atë se nga 80,000 denarët e dedikuara për honorar qeveritar, Rashkovski për çdo muaj ka marrë nga 500 euro për vete.