Botë

Biden: SHBA-të përkrah aleatëve në përballje me Rusinë

06.06.2021 18:47

Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah aleatëve evropianë në përballjen me Rusinë...

Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah aleatëve evropianë në përballjen me Rusinë, ka deklaruar Presidenti amerikan Biden në prag të takimit të parë që do të zhvillojë me presidentin rus Vladimir Putin.
 
Presidenti Biden niset të mërkurën për në Evropë për takimin e G-7 dhe mbledhje të nivelit të lartë në NATO, gjatë të cilave janë planifikuar edhe bisedime mes presidentëve amerikan dhe rus më 16 qershor në Gjenevë. Ky takim zhvillohet në një periudhë tensionesh të thelluara mes dy vendeve, lidhur me një numër temash që nga ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe akuzat e Uashingtonit se Rusia strehon hakerë të rrezikshëm në tokë të saj. Në një artikull të publikuar të shtunën në gazetën Washington Post, Presidenti Biden zotohet të mbështesë “aleancat demokratike” në ballafaqimin me një numër krizash dhe kërcënimet në rritje nga Moska dhe Pekini.
 
“Ne qëndrojmë të bashkuar për të adresuar sfidat ruse ndaj sigurisë evropiane, duke filluar me agresionin rus në Ukrainë. Nuk do të lëmë vend për aspak dyshim se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të mbrojtur vlerat tona demokratike, që nuk mund të shkëputen nga interesat tona,” shkruante presidenti Biden. Ai thot se: "Presidenti Putin e di se nuk do të nguroj t’u përgjigjem akteve keqbërëse në të ardhmen”. “Kur të takohemi, do të theksoj përsëri angazhimin e Amerikës, Evropës dhe demokracive të tjera që mendojnë si ne për të drejtat dhe dinjitetin njerëzor,” thuhej në artikull.