Maqedoni

Pendarovski: BE, e vetmja alternativë për RMV-në

07.06.2021 10:47

Anëtarësimi në BE është vendimtar për zhvillimin e përgjithshëm të të gjitha vendeve dhe ne nuk kemi asnjë alternativë...

Anëtarësimi në BE është vendimtar për zhvillimin e përgjithshëm të të gjitha vendeve dhe ne nuk kemi asnjë alternativë reale për integrimin evropian, thotë presidenti, Stevo Pendarovski, në një intervistë për “Politikën” e Beogradit.

“BE ka bërë një premtim të qartë për vendet në rajon se ata kanë një perspektivë evropiane që nga Samiti i Selanikut 2003. Përpjekjet për ta realizuar këtë premtim janë çështje e besueshmërisë së vetë Unionit. Ne shpesh dëgjojmë për lodhjen nga zgjerimi, e cila nga aspekti i politikës ditore është e kuptueshme, por strategjikisht, projekti evropian nuk do të përfundojë pa integrimin e rajonit tonë në BE”,- tha Pendarovski.

Ai vlerësoi bisedimet me presidentin bullgar, Rumen Radev, në Shkup dhe Romë, si një sinjal pozitiv për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe uljen e tensionit që është ndezur në mënyra të ndryshme në periudhën e kaluar. 

 

“Në këtë kontekst, ne vlerësojmë përpjekjet e Presidencës Portugeze të BE-së. Konsiderojmë propozimin e tyre bazë solide për zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve. Të dy vendet kanë aftësinë për të zgjidhur çështjet përmes dialogut. Në fakt, ne e vërtetuam këtë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë në vitin 2017, e cila është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe është baza për ndërtimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve dhe afrimin e të dy popujve”,- thotë Pendarovski.
 
Është i prerë se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe as nuk mund të jenë subjekt i negociatave.  Në intervistë, siç raportoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, presidenti Pendarovski foli gjithashtu për rrugën e integrimit europian të vendit, mosmarrëveshjen me Bullgarinë, si dhe ndihmën e marrë nga Serbia në trajtimin e pasojave të pandemisë.