Maqedoni
Covid-19, vetëm një rast i ri, 3 viktima e 204 të shëruar
07.06.2021 13:01
Si në fillim të pandemisë, më 26 shkurt 2020, kur gjithçka filloi dhe u regjistrua pacienti i parë i infektuar me Covid-19...
Si në fillim të pandemisë, më 26 shkurt 2020, kur gjithçka filloi dhe u regjistrua pacienti i parë i infektuar me Covid-19, në 24 orët e fundit nga gjithsej 1.375 testime rezultohet të jetë i infektuar vetëm një pacient me virusin Korona. Trendi i uljes së kurbës së të infektuarve dhe të vdekurve vazhdon edhe më tej. Sipas autoriteteve shëndetësore kjo është falë masave dhe vaksinimit masiv të popullsisë. Në 24 orët e fundit janë shëruar gjithsej 204 pacientë nga 23 qytete. Fatkeqësisht janë regjistruar tre vdekje në Kumanovë, Tetovë dhe Gjevgjeli.
Mbërrin varianti indian i virusit Korona, prej një jave në spital pacienti i kthyer nga Iraku
Por, ajo që brengos tani është varianti “indian” i virusit Korona i gjetur tek një qytetar, i cili është kthyer para disa ditësh nga Iraku. Autoritetet thonë se gjendja e tij shëndetësore është stabile, se nuk ka rrezik për jetë dhe se është i shtrirë për 10 ditë në spital.
“Sipas anketës epidemiologjike të cilën e ka bërë spitali, pacienti është kthyer nga Iraku, ku më parë 10 ditë ka qenë i hospitalizuar. Kur është kthyer në vend, menjëherë me makinë të ndihmës së shpejtë është dërguar në spital. Gjendja e pacientit është stabile dhe nuk ka shenja për rrezik.”,- thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Filipçe: Ora policore aktuale, deri më 15 qershor
Në të gjitha repartet infektive në vend aktualisht kurohen gjithsej 126 pacientë të prekur nga virusi Korona, thonë nga MSh. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, i propozon Shtabit të Përgjithshëm të Krizës që ora policore aktuale të vazhdojë deri më 15 qershor. Vazhdon ndërkohë vaksinimi dhe rivaksinimi në të gjitha pikat në vend. Vaksinimi i qytetarëve tanë në Vranjë të Serbisë ka arritur në 2032. Shifër kjo që në ditët në vijmë edhe mund të rritet, pasi që Serbia hoqi terminet e detyrueshme për qytetarët tanë për të bërë vaksinën në Serbi.
REXHEP QAMILI
