Botë

Bashkëpunimi Prishtinë – Tiranë, Konjufca: Të konstituohemi si një komb, siç jemi

07.06.2021 14:35

Bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të ngrihet në atë të konstituimit të të njëjtit komb....

Bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të ngrihet në atë të konstituimit të të njëjtit komb, u shpreh kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, në vizitën e parë në Shqipëri. 
 
“Ne kemi interesa të përbashkëta dhe të njëjta meqenëse jemi një komb. Dhe të tillë duhet të kemi artikulimin e interesave tona të përbashkëta.”,- tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Konjufca kërkoi mbështetjen e Shqipërisë në procesin përfundimtar të dialogut me Serbinë dhe theksoi se sfidë për Kosovën është të mos lejojë krijimin e një etniteti serb në territorin e saj që të kontrollohet nga Beogradi.
 
“Na duhet një koordinim i thellë e i ngushtë me Republikën e Shqipërisë që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje e tillë. Dhe për Kosovën do të ishte krijimi i çfarëdo etniteti territorial serb brenda territorit të Kosovës që të kontrollohet nga Beogradi. Kjo nuk duhet të ndodhë dhe na duhet koordinim i ngushtë me Shqipërinë.”,- tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u shpreh se e rëndësishme për Kosovën është që të ruajë avantazhin e saj në negociata me Serbinë.
 
“Për ne është e rëndësishme që Kosova të ruajë avantazhin e saj në negociatat me Serbinë. I ka të gjitha arsyet e mundësitë që të jetë partner më i besueshëm se Serbia. Të gjithë ne duhet të kuptojmë që me SHBA-në e BE-në gjithçka është e mundur për Kosovën. Pa ta është e rrezikshme për Kosovën. Vizioni i SHBA-së e BE-së është e vetmja perspektivë në Kosovë.”,- theksoi kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
 
Një tjetër çështje për të cilën Kosova kërkon mbështetjen e Shqipërisë është edhe procesi i ngritur në Hagë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së. Konjufca kërkoi në këtë pikë bashkërendimin e veprimeve dhe trajtimin e luftës së UÇK-së jo si luftë të Kosovës, por mbarë kombit shqiptar. Ruçi vlerësoi gatishmërinë e drejtuesve të UÇK-së për t’u përballur me drejtësinë në Hagë. Sipas tij, Kosova është në anën e duhur të historisë. Kryeparlamentari i Kosovës u takua edhe me presidentin Meta dhe kreun e PD-së, Basha.
 
LULJETA NDOKA