Maqedoni

Importi i mazutit, Bekteshi: Do të publikohen të gjitha detajet

07.06.2021 15:01

Në cisternat e derivateve të naftës të kthyera nga ana e doganave është konstatuar...

Në cisternat e derivateve të naftës të kthyera nga ana e doganave është konstatuar prani më e madhe e ujit dhe hirit, informoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Por, këto cisterna nuk janë të vetmet me parregullsi të tilla. Bekteshi informoi se parregullsi janë konstatuar edhe gjatë kontrolleve nëpër kompani të ndryshme në vend. Emrat e këtyre kompanive Bekteshi refuzoi t’i tregojë, duke thënë se detajet do të jepen të martën, ose më së voni të mërkurën.
 
“Nëse në rregullore dhe në përputhje me standardet maqedonase parashihet 1%, disa cisterna kanë pasur 4% apo mbi 4% ujë, por nuk ka qenë problem vetëm uji, ka pasur tejkalim edhe të parametrave të hirit. Nuk janë vetëm ato cisterna të kthyera edhe në tregun e brendshëm janë bërë kontrolle në depot e disa kompanive që merren me shitjen e mazutit dhe atje janë tejkaluar disa nga parametrat. Por, gjithsesi se për detaje do të presim ditën e nesërme apo të mërkurën.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Dënimet për ata që shkelën ligjet, Bekteshi: I takon KRRE-së të vendosë
 
Në lidhje me atë se çfarë dënime do të pësojnë për kompanitë të cilat kanë bërë parregullsi të tilla, Bekteshi theksoi se për një gjë të tillë kompetent është Komisioni Rregullator për Energjetikë. 
 
“Sipas informacioneve të mia, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka dërguar informacion deri te Komisioni Rregullator dhe në përputhje me rregulloret e tyre, gjithsesi se KRE do të vendos se a do të ketë dënime apo do t’u merren licencat. Në rast kur kompani të caktuara nuk i përmbushin pritjet në përputhje me rregulloren, edhe në pjesën e mallit edhe në pjesën e cilësisë, gjithsesi se ajo është bazë për marrje të licencës.”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Pajisjet ekologjike në automjete, Bekteshi: Hapet thirrja publike për subvencione
 
Bekteshi i dha këto komente gjatë shpalosjes së thirrjes për subvencionim të blerjes dhe instalimin e lëndëve alternative djegëse për automjete, siç janë gazi dhe metani, duke shënuar kështu edhe fillimin e fushatës “Agjenda e gjelbër”.  Të gjithë qytetarët që në veturat e tyre do të instalojnë këto lloje të lëndëve do tu mundësohet kthim i mjeteve në lartësi prej 50%, por jo më shumë se 300 euro. Kjo masë vlen vetëm për ato vetura që janë të vitit 2005 e këtej. 
 
ERSAN PAJAZITI