Mësimi në distancë, nxënësit dhe prindërit të kënaqur nga arsimtarët

07.06.2021 16:55

Këtë vit nxënësit që kanë ndjekur mësimin online....

Këtë vit nxënësit që kanë ndjekur mësimin online kanë qenë më të motivuar nga vjet, vetë procesi ka qenë më i organizuar dhe mësimi është realizuar me sukses. Shumica e prindërve të anketuar nga UNICEF e vlerësuan pozitivisht mësimin në distancë. 

98 % e  arsimtarëve  sivjet u kyçën në mësimin online, krahasuar me vitin e kaluar kur vetëm 44 për qind prej tyre zhvilluan mësim në distancë, tregojnë hulumtimet e bëra gjatë pandemisë nga UNICEF. 70% prej nxënësve kanë vlerësuar pozitivisht mësimdhënësit.

“Pozitivisht vlerësohen mësimdhënësit për organizimin e mësimit online. 48 për qind prej tyre vlerësohen me notë 5, shumë më pak janë të vlerësuar drejtori, shërbimet administrative dhe organizimi i mësimit në nivel të shtetit.”,- u shpreh Bllazhen Maleski nga OJQ “Reaktor”.

UNICEF dhe Ambasada e Britanisë së Madhe: Përvojat e mësimit online të përdoren edhe më tej

Përvoja e fituar nga mësimi online mund të shfrytëzohet edhe pas përfundimit të pandemisë, theksuan nga UNICEF dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në RMV.

“Aftësitë dhe platformat për mësim në distancë mundet ende të shfrytëzohen që të përkrahin mësimin e rregullt, me ç’rast me përdorimin e këtyre metodologjive të të mësuarit, mund të arrihen rezultate më të mira në procesin mësimor.”,- u shpreh Patricia Di Xhovani nga UNICEF.

“Tani është koha të  shohim çfarë është bërë, cilat janë sfidat për nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe si mundemi t’i shfrytëzojmë këto leksione, për të krijuar mësim sa më cilësor.”,- theksoi ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në RMV, Rejçel Gallovei.

Mësimi nga shtatori, Carovska: Varet nga gjendja epidemiologjike

Por, a do të hapen shkollat nga shtatori me mësim fizik apo edhe vitin e ardhshëm do të mësohet online, ende nuk dihet. Gjithçka varet nga gjendja epidemiologjike.

“Do të mbahet mbledhje me Komisionin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe në momentin kur do të kemi qëndrim zyrtar i njëjti do t’i kumtohet opinionit.”,- tha ministrja e arsimit, Milla Carovska.

Sipas ministres Carovska, modeli hibrid i realizuar këtë vit, tregoi se mësimi mund të zhvillohet në kontinuitet. 

100 përqind prej nxënësve kanë konfirmuar se mësimi në largësi është zhvilluar sipas orarit, në krahasim me vitin që lamn pas kur vetëm 22 përqind prej nxëxnësve janë shprehur pozitivisht.

Vitin e kaluar 49 përqind prej prindërve kanë konfirmaur se mësimi në distancë nuk është efektiv, këtë vit këtë vit se mësimi në distancë është joefektiv janë shprehur 26 përqind dhe mësimi në distancë është vlerësuar me notë katër. (Flutura Latifi, TVM2)