Agjencia për Ushqim e Veterinari: Qytetarët konsumojnë ushqim të sigurt
Nga fillimi i vitit 2020 deri në maj të këtij viti...

Nga fillimi i vitit 2020 deri në maj të këtij viti, janë kryer mbi 65,000 kontrolle dhe janë asgjësuar mbi 238 ton ushqimi jashtë standardit.
Megjithatë, inspektorët shpesh shikojnë mes gishtave dhe në vend të ndëshkimit – shkojnë me paralajmërim të subjekteve që shkelin ligjin.
Në Ditën Botërore të Ushqimit të Sigurt - 7 qershorit, Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Nikollçe Babovski, gjithsesi ka siguruar qytetarët se konsumojnë ushqim të sigurt, edhe pse e pranoi se ndonjëherë ka edhe lëshime. Pranon edhe se inspektorët më shumë preferojnë të paralajmërojnë subjektet, sesa t’i dënojnë.
Sipas tij, Agjencia ka nevojë edhe për të paktën 20 inspektorë profesionistë për të kontrolluar si duhet cilësinë e ushqimit që konsumojnë qytetarët. Për të përmirësuar standardet e ushqimit po përgatiten ndryshime ligjore.
Autoritetet apelojnë që parregullsitë të raportohen menjëherë dhe të mos publikohen në rrjetet sociale.
“Si institucion i përgjegjshëm, kemi bërë përpjekjet maksimale që të mbrojmë qytetarët duke shtuar kontrollet që nga fillimi i pandemisë. Është shtuar interesi i qytetarëve për sigurinë e ushqimit që konsumojnë. Përmes sektorit të ushqimit në AUV nga 173 procedura të hapura, 74 kanë të bëjnë pikërisht me cilësinë e ushqimit.”,- tha drejtori i AUV-së, Nikollçe Babovski.
“Ne presim që rregullativa ligjore të përmirësohet, standardet të jenë sa më të rrepta që konsumatorët të mund të kenë më shumë besim në cilësinë e ushqim, të bëhet edukim më i madh i konsumatorëve në mënyrë që ata të mësojnë se si të shmangin rreziqet që lidhen me ushqimin, zbatimin e mirë të rregullave të higjienës dhe kontroll dhe inspektime të vazhdueshme. Ka konsumatorë që ankohen te ne, por shumë preferojnë t’i raportojnë rastet në rrjetet sociale. Vlerësojë se gjëra të tilla nuk duhet të postohen në Facebook. Nëse vëreni diçka të tillë, duhet ta raportoni në AUV për të mos rrezikuar qytetarët e tjerë që përdorin të njëjtat produkte.”,- u shpreh Mariana Loncar nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorit.
